Një lajm i trishtë ka tronditur botën e wrestlingut. Mundësi australian Bronson Reed, një prej figurave të njohura të WWE-së, ka ndërruar jetë në moshën 38-vjeçare, si pasojë e komplikimeve mjekësore.
Lajmi për ndarjen nga jeta të sportistit, emri i vërtetë i të cilit ishte Jermaine Haley, u konfirmua nga kompania WWE, e cila përmes një deklarate shprehu ngushëllimet për familjarët, miqtë, kolegët dhe fansat e tij.
“Jermaine ishte një figurë imponuese në WWE, por mbi të gjitha një njeri i jashtëzakonshëm, një familjar i përkushtuar dhe një koleg i dashur”, thuhej në reagimin e kompanisë.
Ndarja nga jeta e mundësit australian vjen vetëm disa javë pasi ai pësoi një dëmtim të rëndë gjatë eventit Crown Jewel, të zhvilluar më 7 nëntor në Riad të Arabisë Saudite.
Gjatë një segmenti me mundësin Oba Femi, Reed përfundoi mbi tavolinat e vendosura poshtë skenës. Sipas mediave të specializuara, 38-vjeçari pësoi disa fraktura në brinjë dhe një dëmtim serioz në veshkë, për të cilin iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale.
Pas një periudhe trajtimi në Arabinë Saudite, më 18 nëntor u raportua se sportisti ishte kthyer në shtëpi për të vazhduar procesin e rikuperimit.
Deri më tani, WWE nuk ka zbuluar detaje mbi natyrën e komplikimeve mjekësore që çuan në vdekjen e tij. Gjithashtu, nuk është konfirmuar nëse ndarja nga jeta lidhet drejtpërdrejt me dëmtimet e pësuara gjatë eventit në Riad.
Bronson Reed e nisi aventurën e tij në WWE në vitin 2019. Pas largimit në vitin 2021, mundësi australian u rikthye në kompani një vit më vonë, duke vijuar karrierën e tij deri në ndarjen nga jeta.
