VIDEO/ Publikohet momenti i plagosjes së deputetit Hoti në protestë, niset drejt efektivëve dhe qëllohet me plumb gome. Bardhi: Do të përgjigjeni

29/11/2026 15:06

Kreu i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi, ka publikuar momentin kur deputeti i PD, Kliti Hoti qëllohet me plumb gome nga policia gjatë përplasjes mes palëve.

“Kjo është shpallje lufte! Do të përgjigjeni! Goditja ndaj një deputeti, në krye të detyrës, me plumb në trup, është një krim që do të marrë përgjigje ligjore dhe personale”, shkruan Bardhi.

Siç shihet në video, Hoti po vrapon drejt efektivëve, që përgjigjen me një të shtënë, e cila e ka lënduar deputetin e PD në zonën e shpinës.

Videon e momentit të incidentit e ka publikuar nga një kënd tjetër edhe nënkryetari i PD, Belind Këlliçi, i cili përbri imazheve shkruan: “Kriminelët e Edi Ramës godasin me plumb gome deputetin e PD, Kliti Hoti. Kjo është vrasje me dashje e mbetur në tentativë.

Deputeti po interesohej për rrëmbimet arbitrare të protestuesve nga policia kur u gjuajt me plumb gome dhe u përplas në tokë. Kjo dhunë kriminale e Edi Ramës po përsëritet e po rritet çdo ditë, teksa Prokuroria e Tiranës ende nuk ka marrë asnjë veprim.

Kryeministri më i korruptuar në Europë po shënjestron kundërshtarët dhe sot kishte objektiv dhune deputetin e PD.

Edi Rama është urdhëruesi dhe s’ka polici e gardë që do ta shpëtojë nga dhënia e llogarisë para ligjit. Ai me banditët e tij shumë shpejt do shkojnë në vendin që meritojnë, në burg”.

Top Channel