E diel, 29 Nëntor 2026 Lajme Ora 15:00 dhe Moti deri në 15:40 Në vijim ora 15:40: Safir Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Breaking përditësuar 17 minuta më parë
Politikë

Paraburgimi i Veliajt, eurodeputeti holandez: Një vend kandidat, ku ndodh diçka e tillë, nuk duhet të anëtarësohet kurrë në BE

Europarlamentari holandez Sander Smit ka reaguar sërish lidhur me paraburgimin e kryebashkiakut të zgjedhur të Tiranës, Erion Veliaj, duke ngritur shqetësime serioze për respektimin e shtetit të së drejtës dhe të drejtave themelore në Shqipëri, në kuadër të procesit të anëtarësimit të vendit në Bashkimin Europian.

Në një reagim në rrjetin social X, Smit e cilëson të papranueshme mbajtjen e Veliajt në paraburgim, pa një vendim dënimi dhe mbi bazën e atyre që ai i konsideron akuza të paqarta.

“Të kalosh pothuajse dy vjet në burg ‘parandalues’, pa një vendim dënimi dhe mbi bazën e akuzave të paqarta: kjo nuk ka vend në një shtet të së drejtës”, shkruan eurodeputeti holandez.

“Në Shqipëri, kryebashkiaku i zgjedhur i Tiranës, një socialdemokrat dhe rival i brendshëm partiak i kryeministrit Rama, ndodhet prej pothuajse dy vjetësh në paraburgim, mbi akuza të paqarta dhe pa asnjë vendim dënimi”, vijon ai.

Reklamë

Europarlamentari holandez drejton kritika të forta edhe ndaj presidentes së Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, dhe komisioneres për Zgjerimin, Marta Kos, për të cilat thotë se po mbyllin sytë përballë kësaj situate.

“Një vend ku shteti i së drejtës, të drejtat themelore dhe Konventa Europiane për të Drejtat e Njeriut janë nën një presion të tillë, nuk e ka vendin në Bashkimin tonë Europian. Megjithatë, Ursula von der Leyen dhe Marta Kos thjesht kthejnë kokën nga ana tjetër, ashtu siç bën faktikisht edhe qeveria e pakicës”, shprehet Smit.

Në përfundim të reagimit të tij, eurodeputeti holandez mban një qëndrim të prerë lidhur me perspektivën europiane të Shqipërisë.

“Një vend kandidat për në Bashkimin Europian, ku diçka e tillë është e mundur, nuk mund dhe nuk duhet të anëtarësohet kurrë në BE”, deklaron Smit.

Vazhdo të lexosh

Reklamë

Lini një koment

Me respekt — komentet moderohen nga redaksia.
Nuk publikohet kurrë.