Qëlloi me plumb gome deputetin e PD, Kliti Hotin/ Ministri Demo kërkon pezullimin e efektivit: Askush nuk është mbi ligjin

Aktualitet | 1 minutë më parë

Ministri Ervin Demo ka reaguar lidhur me rastin ku u qëllua me plumb gome deputeti Kliti Hoti, duke deklaruar se askush nuk është mbi ligjin dhe se një parim i tillë vlen edhe më tepër për një punonjës të Policisë së Shtetit, detyra e të cilit është zbatimi dhe mbrojtja e tij.

Demo shpjegon se pasi është vënë në dijeni për një rast të dyshuar të përdorimit joproporcional të forcës nga një punonjës policie në mënyrë individuale, ai i ka kërkuar Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit pezullimin e menjëhershëm të efektivit të përfshirë, si dhe nisjen e procedurave për hetimin e plotë të ngjarjes.

“Askush nuk është mbi ligjin, aq më tepër një punonjës i Policisë së Shtetit, që ka për detyrë ta zbatojë dhe ta mbrojë atë. Pasi jam vënë në dijeni të një rasti të dyshuar të përdorimit joproporcional të forcës nga një punonjës i policisë në mënyrë individuale, i kam kërkuar Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit pezullimin e menjëhershëm të efektivit në fjalë, si dhe nisjen e procedurave për hetimin e plotë të ngjarjes. Siç e kam theksuar vazhdimisht, barazia e të gjithëve përpara ligjit është një parim i panegociueshëm”, shkruan Demo.

Në reagimin e tij, ai thekson se dhuna nuk do të tolerohet në asnjë rast, qoftë nga protestuesit që sulmojnë forcat e rendit, institucionet, pronën publike apo bizneset private, qoftë nga punonjësit e policisë që tejkalojnë kompetencat e tyre.

“Dhuna nuk do të tolerohet, as nga protestuesit që sulmojnë forcat e rendit, institucionet, pronën publike apo bizneset private, as nga punonjësit e policisë që tejkalojnë kompetencat e tyre. E drejta për të protestuar është e garantuar. Detyrimi për të respektuar ligjin është i njëjtë për të gjithë, pa përjashtim”, thotë më tej në reagimin e tij, ministri i Punëve të Brendshme.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme