Aventura e parë e Kaio Jorge te Juventus dhe në Europë nuk ishte aspak e mirë. Kur ishte vetëm 19 vjeç, sulmuesi brazilian u transferua me shumë zhurmë nga Santos te Juventus, por nuk qëndroi shumë gjatë dhe u rikthye përfundimisht në Brazil në vitin 2024, ku u transferua te Cruziero për 7 milionë euro.
Te Cruzeiro, Kaio Jorge ka bërë 95 paraqitje dhe ka shënuar 45 gola, duke u rikthyer kështu në vëmendje për një mundësi rikthimi në Evropë. Javët e fundit kanë qarkulluar zëra për një transferim të mundshëm te Bayern Munich.
Ndërsa ka mbetur edhe një ndeshje kampionati për t’u luajtur, sulmuesi foli për situatën e tij përpara raundit të 38-të dhe të fundit. Ekipi i tij e ka siguruar tashmë vendin e tretë, pas Flamengo-s dhe Palmeiras-it.
“Është normale të kem oferta nga Evropa. Duhet të presim derisa të përfundojë ky vit. Ende nuk e dimë se si do të shkojnë gjërat. Gjithçka do t’ia lëmë në dorë drejtuesve, të cilët do të vendosin se cila është rruga më e mirë për lojtarët. Kur një lojtar i ri luan në nivel të lartë dhe shënon gola për dy sezone radhazi, është e natyrshme që të tërheqë vëmendjen e klubeve evropiane. Megjithatë, unë jam shumë i qetë: kam kontratë deri në vitin 2030. Pedrinho (pronari i Cruziero) e di se çfarë dua unë”, tha Kaio Jorge.
Këtë sezon, Kaie Jorgo ka shënuar 15 gola dhe renditet i katërti në listën e golashënuesve më të mirë në Brasileirão Serie A.







