Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka akuzuar drejtpërdrejt kryeministrin Edi Rama për plagosjen e deputetit demokrat Kliti Hoti me plumb gome gjatë protestës së 29 nëntorit.
Në një prononcim për mediat, Berisha e cilësoi ngjarjen si tentativë për vrasjen e deputetit, duke pretenduar se përgjegjësia për sulmin bie personalisht mbi kreun e qeverisë.
I pyetur nëse deklaratat e tij përbënin thirrje për sulm ndaj komisariateve, Berisha e mohoi këtë, por vijoi me akuza ndaj mënyrës se si, sipas tij, policia po trajton protestuesit.
Kreu i PD-së foli edhe për gjendjen shëndetësore të Kliti Hotit, pas vizitës që zhvilloi pranë tij. Ai tha se mjekët po kryenin ekzaminime të mëtejshme, përfshirë një skaner, pasi ende nuk ishte përcaktuar pozicioni i plumbit.
Sipas Berishës, deputeti kishte pësuar djegie rreth plagës dhe kontuzion në mushkëri, ndërsa goditjen e cilësoi si shumë të fuqishme. Ai theksoi se vlerësimi përfundimtar i gjendjes së Hotit do të bëhej pas përfundimit të analizave mjekësore.
Pjesë nga deklarata e Sali Berishës:
“Edi Rama është i aftë për të zbatuar çdo skenar që beson se me një grusht horrash do mund t’i shpëtojë verdiktit të qytetarëve.
Mjekët po bëjnë një skaner tani dhe po kompletojnë analizat. Nuk është e qartë çështja e plumbit ku ndodhet, sepse plaga është e madhe, djegia rreth plagës, sikur të jenë plumba dum-dum. Djegie shumë e pazakontë edhe me plumbin e armëve të zjarrit.
Ka edhe një kontuzion të mushkërisë, çka do të thotë se goditja ka qenë shumë e fuqishme.
Por nga ana tjetër theksoj se doktor Kliti Hoti qëndronte i vendosur dhe i pamposhtur në misionin dhe vendosmërinë e tij. Kështu që, Edi Rama është përgjegjës personal për këtë tentativë vrasjeje të deputetit të Partisë Demokratike.”













