Policia e Shtetit ka reaguar pas incidentit ku efektivi Ersild Alliu qëlloi me plumb gome deputetin e PD-së, Kliti Hoti në protestën e kësaj të diele, duke njoftuar pezullimin e menjëhershëm të tij nga detyra dhe nisjen e një hetimi disiplinor. Drejtori i Drejtorisë së Rendit Publik, Drejtues i Parë Agron Çeli, sqaron se efektivi nuk kishte marrë urdhër për të qëlluar me plumba gome, duke e cilësuar ngjarjen si një veprim individual të punonjësit të policisë.
“Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka urdhëruar pezullimin e menjëhershëm nga detyra të punonjësit të Policisë, inspektor E.A. Ndaj tij, Drejtoria e Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit ka nisur hetimin disiplinor, bazuar në pamjet filmike dhe faktet lidhur me veprimet individuale të tij, pasi punonjësi nuk kishte marrë urdhër për të qëlluar me plumba gome”, tha.
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, në bashkëpunim me Prokurorinë, ka nisur veprimet hetimore për rastin. Policia e Shtetit thekson se asnjë akt dhune apo provokimi nuk mund të justifikojë tejkalimin e kompetencave ligjore nga efektivët gjatë ushtrimit të detyrës. Policia u bën thirrje qytetarëve të distancohen nga personat e maskuar dhe të dhunshëm, si dhe të ushtrojnë në mënyrë paqësore të drejtën kushtetuese për të protestuar.
Deklarata e plotë
Policia e Shtetit dënon me forcë çdo akt dhune dhe mbetet e vendosur në përmbushjen e misionit të saj për garantimin e rendit dhe sigurisë publike, mbrojtjen e qytetarëve dhe respektimin e së drejtës kushtetuese për të protestuar. Në lidhje me ngjarjet e 24 orëve të fundit, Policia e Shtetit thekson se asnjë akt dhune nuk mund të justifikohet me ushtrimin e së drejtës për të protestuar, sikundër asnjë akt dhune apo provokimi nuk mund të përligjë tejkalimin e kompetencave ligjore nga punonjësit e Policisë gjatë ushtrimit të detyrës.
Në lidhje me këtë të fundit, pas rastit të ndodhur gjatë ditës së sotme, ku një deputet është goditur nga një punonjës i Policisë, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka urdhëruar pezullimin e menjëhershëm nga detyra të punonjësit të Policisë, inspektor E.A.
Ndaj tij, Drejtoria e Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit ka nisur hetimin disiplinor, bazuar në pamjet filmike dhe faktet lidhur me veprimet individuale të tij, pasi punonjësi nuk kishte marrë urdhër për të qëlluar me plumba gome. Ndërkohë, në lidhje me të njëjtin rast, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, në bashkëpunim me Prokurorinë, ka nisur menjëherë veprimet hetimore.
Policia e Shtetit u bën thirrje qytetarëve që të distancohen nga personat e maskuar dhe të dhunshëm dhe të ushtrojnë të drejtën e tyre për të protestuar në mënyrë paqësore, pasi Policia e Shtetit është e vendosur të zbatojë parimin e tolerancës zero ndaj çdo shkeljeje të ligjit, pavarësisht se nga kush kryhet. Çdo akt dhune dhe çdo rast i dyshuar i tejkalimit të kompetencave duhet të trajtohet me objektivitet, transparencë dhe përgjegjshmëri institucionale, në përputhje të plotë me ligjin.
Lexoni edhe:
Autoboti i policisë futet në sheshin “Skëndërbej” për të shpërndarë tubuesit
Sulmet ndaj deputetëve në protestë, Shehaj: SPAK të hapë menjëherë hetim për të gjitha rastet
Protestuesit shpërndahen në rrugët e Tiranës, koshat e mbeturinave në flakë
Berisha: E meritojnë të digjen komisariatet nga protestuesit!
Berisha shkon te Trauma: Deputeti Hoti u qëllua për t’u vrarë me urdhër të Ramës
Protesta këtë të dielë, Ministria e Shëndetësisë jep bilancin: 12 të lënduar
Plagosja e deputetit të PD, ministri Demo kërkon pezullimin e efektivit