Vendosni fjalën kyçe....

Policia pezullon inspektorin që qëlloi deputetin me plumb gome: Nuk kishte urdhër


Policia e Shtetit ka pezulluar nga detyra inspektorin E.A., i cili gjatë protestës së sotme qëlloi me plumb gome një deputet.

Ndaj efektivit është nisur edhe hetim disiplinor, ndërsa Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP), në bashkëpunim me Prokurorinë, ka nisur veprimet hetimore për rastin.

Në reagimin zyrtar, Policia e Shtetit bën me dije se inspektori nuk kishte marrë urdhër për të qëlluar me plumba gome.

Pezullimi i tij është urdhëruar nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, ndërsa hetimi disiplinor po zhvillohet nga Drejtoria e Standardeve Profesionale, bazuar në pamjet filmike dhe faktet që lidhen me veprimet individuale të efektivit.

Policia e Shtetit dënon aktet e dhunës dhe thekson se është e angazhuar për garantimin e rendit dhe sigurisë publike, mbrojtjen e qytetarëve dhe respektimin e së drejtës kushtetuese për protestë.

Në deklaratë, institucioni nënvizon se “asnjë akt dhune apo provokimi nuk mund të përligjë tejkalimin e kompetencave ligjore nga punonjësit e Policisë gjatë ushtrimit të detyrës”.

Policia u bën thirrje qytetarëve të distancohen nga personat e maskuar dhe të dhunshëm, si dhe të ushtrojnë të drejtën e protestës në mënyrë paqësore. Ajo deklaron se do të zbatojë parimin e tolerancës zero ndaj çdo shkeljeje të ligjit, pavarësisht se nga kush kryhet.

Në përfundim, Policia e Shtetit thekson se çdo akt dhune dhe çdo rast i dyshuar i tejkalimit të kompetencave duhet të trajtohet me objektivitet, transparencë dhe përgjegjshmëri institucionale, në përputhje me ligjin.