Bota

Tërmet i fuqishëm në Los Anxhelos, mbi 40 pasgoditje, panik në aeroport dhe zonat bregdetare

Një tërmet me magnitudë 5.0 ka tronditur të shtunën në mëngjes zonën e Los Anxhelosit në Kaliforni, duke shkaktuar më shumë se 40 pasgoditje dhe momente paniku mes banorëve dhe turistëve.

Lëkundjet u ndjenë në një zonë të gjerë, ndërsa në aeroportin ndërkombëtar të Los Anxhelosit u thyen xhama dhe ranë pjesë të tavanit. Pavarësisht fuqisë së lëkundjeve, autoritetet lokale bëjnë me dije se deri më tani nuk janë raportuar dëme të konsiderueshme materiale apo persona të lënduar.

Tërmeti kryesor u regjistrua rreth orës 09:30 sipas orës lokale, me epiqendër rreth 6 kilometra në perëndim-jugperëndim të qytetit bregdetar Manhattan Beach dhe në një thellësi prej afro 12 kilometrash, sipas Shërbimit Gjeologjik të Shteteve të Bashkuara (USGS).

Lëkundjet shkaktuan reagime të menjëhershme te qytetarët. Në disa dyqane pranë zonave bregdetare, njerëzit dolën me nxitim jashtë, ndërsa në parkingjet e supermarketeve u aktivizuan alarmet e automjeteve.

Në aeroportin ndërkombëtar të Los Anxhelosit, disa pllaka të tavanit ranë, ndërsa xhamat u thyen. Udhëtarët u strehuan përkohësisht poshtë tavolinave dhe më pas dolën jashtë ndërtesës për t’i shpëtuar rrezikut të mundshëm.

Një nga udhëtarët, Uduak Akpanakpauyo, nga Houston, tregoi se ndodhej pranë një sporteli të kompanisë United Airlines kur ndjeu lëkundjet. Ajo pa xhamat të thyheshin dhe të binin pranë saj, duke rrezikuar ta godisnin në kokë.

“Ne nuk e dinim nëse ndërtesa do të shembej apo jo, sepse po dridhej aq shumë”, tregoi ajo.

Akpanakpauyo tha se nuk kishte përjetuar kurrë më parë një tërmet dhe se përvoja ishte shumë e frikshme. Sipas autoriteteve të aeroportit, fluturimet vijuan normalisht dhe kontrollet paraprake të pistave nuk konstatuan probleme.

Vetëm pak minuta pas tërmetit fillestar, zona u godit nga një seri pasgoditjesh. Sipas sizmologëve të Institutit të Teknologjisë në Kaliforni (Caltech), të paktën 40 pasgoditje u regjistruan gjatë ditës. USGS vlerësoi se ekzistonte një mundësi prej 30% për një pasgoditje me magnitudë 4.0 ose më të lartë.

Kjo mundësi u konkretizua në orën 11:41, kur një tjetër tërmet me magnitudë 4.5 goditi zonën, duke bërë që Departamenti i Zjarrfikësve të Los Anxhelosit të rikthehej në gatishmërinë për emergjenca sizmike.

Kryebashkiakja e Los Anxhelosit, Karen Bass, bëri të ditur se vlerësimi i dytë në shkallë qyteti nuk kishte evidentuar dëme të mëdha në infrastrukturën kritike.

Një tjetër pasgoditje me magnitudë 4.0 u regjistrua pak pas orës 20:00, në brigjet pranë Hermosa Beach, në një thellësi prej rreth 12 kilometrash.

Tërmeti u ndje edhe në Santa Monica, ku ndërtesat u drodhën dhe pemët lëkundeshin nga forca e goditjeve. Lëkundjet u raportuan deri në Pasadena, rreth 43 kilometra larg epiqendrës.

Autoritetet e Manhattan Beach vendosën të mbyllin përkohësisht skelën e qytetit, si masë paraprake për shkak të aktivitetit sizmik, duke u kërkuar banorëve dhe vizitorëve të shmangin zonën.

Ndërkohë, tërmeti shkaktoi aktivizimin e sistemeve të sigurisë në dy rafineri nafte. Në rafinerinë Torrance u regjistrua një djegie e paplanifikuar e gazrave, ndërsa në rafinerinë Chevron në El Segundo u aktivizuan automatikisht flakët e sigurisë. Autoritetet lokale bënë të ditur se nuk ishte raportuar ndikim jashtë ambienteve të rafinerive.

Pavarësisht lëkundjeve, ndeshja e futbollit amerikan mes ekipeve universitare UCLA Bruins dhe USC Trojans, e zhvilluar në stadiumin Rose Bowl në Pasadena, u mbajt sipas programit.

Sipas të dhënave të USGS, tërmeti i së shtunës ishte më i forti që ka goditur zonën e Los Anxhelosit që prej vitit 2014, kur një tërmet me magnitudë 5.1 goditi La Habra, në kontenë Orange.

Megjithatë, ekspertët shpjegojnë se tërmeti i fundit ishte më i thellë, çka ndikoi në mënyrën se si u përhapën valët sizmike drejt sipërfaqes.

Elizabeth Cochran, sizmologe në USGS, shpjegoi se thellësia më e madhe krijon një distancë më të gjatë për përhapjen e valëve drejt sipërfaqes, duke bërë që intensiteti i lëkundjeve të mund të jetë më i ulët në disa zona.

Nga ana tjetër, Lucy Jones, eksperte e gjeofizikës në Institutin e Teknologjisë në Kaliforni dhe drejtuese e Qendrës për Rezistencën ndaj Fatkeqësive, tha se tërmeti ishte ndjerë në pjesën më të madhe të pellgut të Los Anxhelosit.

“Është një nga tërmetet më të mëdha që kemi pasur në zonën e Los Anxhelosit prej një kohe të gjatë”, deklaroi Jones.

Ajo bëri të ditur se gjatë javës së fundit ishin regjistruar edhe tre tërmete me magnitudë rreth 3, njëri prej të cilëve pranë të njëjtës zonë me epiqendrën e tërmetit të së shtunës. Sipas saj, ky i fundit mund të konsiderohet si një lëkundje pararendëse.

Jones e cilësoi numrin e pasgoditjeve të së shtunës si relativisht të lartë, por brenda kufijve normalë të aktivitetit sizmik. Ekspertja kujtoi gjithashtu se pellgu i Los Anxhelosit ka pasur një periudhë relativisht të qetë sizmike që prej tërmetit shkatërrues të Northridge, me magnitudë 6.7, në vitin 1994.

Sipas saj, 12 vitet pa një tërmet me magnitudë mbi 5.0 përbëjnë një periudhë shumë të gjatë në historinë sizmike të Los Anxhelosit.

Ndërkohë, kryebashkiakja Karen Bass u bëri thirrje banorëve të ruajnë qetësinë dhe të vijojnë aktivitetet e tyre të zakonshme.

“Duhet të kujtojmë se këtu përjetojmë tërmete gjatë gjithë kohës. Ky ishte më i rëndësishëm dhe më pranë Los Anxhelosit, por nuk ka arsye që njerëzit të mos vazhdojnë aktivitetet e tyre normale”, deklaroi ajo.