Muzeu Kombëtar i Pavarësisë në Vlorë do të restaurohet dhe do të ketë një koncept të ri muzeor. Lajmi është bërë i ditur nga ministri Blendi Gonxhja, i cili, në kuadër të festimeve të 28 dhe 29 Nëntorit, ka prezantuar projektin për ndërhyrjen në një prej objekteve më të rëndësishme të historisë kombëtare shqiptare.

Projekti parashikon restaurimin e plotë të godinës historike, duke ruajtur tiparet dhe vlerat e saj origjinale, si dhe rikonceptimin e linjës muzeore. Në këtë kuadër, do të zgjerohen hapësirat e ekspozimit dhe do të krijohen ambiente të reja për zhvillimin e aktiviteteve kulturore dhe edukative.

Një risi e rëndësishme do të jetë përfshirja e ekspozitave interaktive dhe teknologjive digjitale, të cilat synojnë ta bëjnë më tërheqëse dhe të prekshme përvojën e vizitorëve, veçanërisht të rinjve, në njohjen e historisë së Pavarësisë dhe të themelimit të shtetit shqiptar.

Ndërhyrja do të përfshijë gjithashtu përmirësimin e hapësirave të jashtme dhe krijimin e një identiteti të ri vizual për muzeun.

Sipas Gonxhes, rëndësia e këtij institucioni në promovimin e trashëgimisë historike dhe kulturore dëshmohet edhe nga numri i vizitorëve. Vetëm gjatë periudhës janar–tetor 2026, Muzeu Kombëtar i Pavarësisë ka mirëpritur mbi 16 mijë vizitorë.