Briken Tuçi, 34-vjeçari i plagosur gjatë protestës së 28 Nëntorit në Tiranë, ndodhet në gjendje shumë të rëndë shëndetësore dhe në rrezik për jetën. Motra e tij, Ortencia Tuçi, ka deklaruar se hemorragjia në tru është përhapur dhe se mjekët nuk kanë mundësi të kryejnë ndërhyrje kirurgjikale.
Ndërkaq një mjek që mbikqyr Tuçin tha sot se Brikeni nuk ka pasur hemoragji ndërsa pritet të stabilizohet deri në operacion.
Në një prononcim për gazetarin Osman Stafa, ajo tha se i vëllai po mbahet nën efektin e qetësuesve të fortë, ndërsa mjekët po monitorojnë ecurinë e gjendjes së tij.
Sipas saj, fillimisht hemorragjia ishte e kufizuar në një pjesë të kokës, por gjatë ditës së sotme është përhapur në një zonë shumë më të gjerë.
“Situata është shumë e rëndë. Ka pësuar hematoma në kokë, që ka krijuar një përhapje të hemorragjisë në tru. Nuk mund të lëvizet dhe as të operohet. Po mbahet me qetësues shumë të fortë, që të shohim gjendjen sipas kohës, të presim. Mjekët kanë thënë që nuk mund të ndërhyjnë dot”, deklaroi Ortencia Tuçi.
Ajo rrëfeu edhe rrethanat e plagosjes, duke pretenduar se vëllai i saj po protestonte në mënyrë paqësore, me duart në xhepa dhe me shpinë nga autoboti i ujit, kur u godit nga presioni i lartë i ujit dhe u rrëzua në tokë.
Sipas saj, familja disponon pamje filmike që tregojnë momentin e incidentit.
“Ka nisur hedhja e ujit dhe, duke qenë me kurriz, ai nuk e ka parë. Në video duket që autoboti ia drejton ujin dhe shihet se si uji e hedh tutje dhe përplaset në tokë”, tha ajo.
Motra tregoi se Briken Tuçi është 34 vjeç, i martuar dhe ka përfunduar dy fakultete. Sipas saj, ai kishte dalë në protestë edhe për shkak të vështirësive ekonomike dhe pamundësisë për të gjetur një punë që përputhej me formimin e tij akademik.
Familja kërkon që autoritetet të identifikojnë personat përgjegjës për ngjarjen dhe të marrin masa ligjore ndaj tyre.
“Ne nuk duam lëmoshë apo fonde e mëshirë, duam që ata persona që e kanë bërë të mbajnë përgjegjësi”, u shpreh Ortencia Tuçi, duke kërkuar reagimin e ministrit të Brendshëm dhe drejtuesve të Policisë.
Në fund, ajo shprehu frikën se i vëllai mund të bëhet viktima e parë e protestave.
“Nuk dua që im vëlla të jetë viktima e parë e protestës. Kur shteti na vret, dy duar janë për një kokë”, deklaroi ajo.m.k





