Një ngjarje e rëndë ka tronditur Italinë, ku një 39-vjeçare ka tentuar të vrasë vajzën e saj 8-vjeçare duke i shtrënguar një kordon gome rreth qafës. E mitura ndodhet në gjendje kritike në spital, ndërsa mjekët janë ende të rezervuar për prognozën e saj.
Ngjarja ndodhi të shtunën rreth orës 18:00, në Marina di Montemarciano, në provincën e Ankonës. Familja kishte planifikuar të kalonte mbrëmjen në kinema, ndërsa babai i vajzës i priste bashkëshorten dhe të bijën në makinë. I shqetësuar nga vonesa, ai u kthye në apartament, ku zbuloi të bijën pa ndjenja në dhomën e saj, me një kordon gome të shtrënguar në qafë.
Pranë saj ndodhej e ëma, e cila ishte në gjendje shoku. Babai ndërhyri menjëherë, preu kordonin dhe njoftoi urgjencën. Pas mbërritjes së personelit mjekësor, në vendngjarje u paraqitën edhe karabinierët dhe ekspertët e policisë shkencore.
Gjatë marrjes në pyetje nga hetuesit dhe prokurori i Ankonës, Andrea Laurino, 39-vjeçarja pranoi veprimin. Sipas mediave italiane, ajo shfaqej e tronditur dhe shqiptonte fjali të paqarta, mes tyre edhe shprehjen: “E kanë me mua”.
Hetimet paraprake sugjerojnë se gruaja mund të kishte kaluar një periudhë të vështirë psikologjike, të lidhur me trauma familjare të përjetuara gjatë adoleshencës. Ajo dyshohet se kishte dhënë dorëheqjen nga puna në bankë për shkak të problemeve personale dhe ndjesisë se nuk kuptohej nga të tjerët.
Megjithatë, sipas raportimeve, deri më tani nuk kishte shfaqur shenja të dukshme që mund të paralajmëronin një ngjarje të tillë.
39-vjeçarja është arrestuar nën akuzën e tentativës për vrasje dhe është dërguar në burgun e Pesaros.
Ndërkohë, vajza po trajtohet në spitalin pediatrik Salesi. Mjekët pritet të kryejnë ekzaminime të mëtejshme për të përcaktuar nëse mungesa e zgjatur e oksigjenit i ka shkaktuar dëmtime neurologjike apo pasoja të tjera të rënda.
