Efektivi i Policisë që qëlloi me plumb gome deputetin demokrat Kliti Hoti gjatë protestës së sotme është identifikuar si Ersild Alliu.
Pas incidentit, deputeti u transportua në Spitalin e Traumës, ku po merr ndihmën e nevojshme mjekësore.
Ndërsa pas ngjarjes, efektivi Alliu është pezulluar menjëherë nga detyra dhe ndaj tij ka nisur një hetim disiplinor.
Sipas Policisë së Shtetit, ai nuk kishte marrë urdhër për përdorimin e plumbave të gomës, ndërsa për rastin kanë nisur hetimet edhe organet përkatëse.
Reagimi i Gazmend Bardhit:
BANDITI ERSID ALLIU ËSHTË EDI RAMA ME UNIFORMË POLICIE!
Edi Rama mban përgjegjësi politike dhe duhet të mbajë përgjegjësi ligjore për urdhrin që çoi në tentativën për vrasjen e deputetit Kliti Hoti. Po kështu, ai do të duhet të përgjigjet për dhunën masive të ushtruar ndaj të rinjve dhe qytetarëve që protestojnë.
Ndërkohë, Prokuroria e Tiranës ka detyrimin të veprojë urgjentisht dhe të arrestojë në flagrancë banditin me uniformë Ersild Alliu, që goditi deputetin Kliti Hoti, teksa ky i fundit ishte në ushtrim të detyrës. Tentativa për të vrarë një deputet në ushtrim të detyrës nuk mund të relativizohet apo të trajtohet si një episod i zakonshëm dhune.
Ajo kërkon hetim të menjëhershëm dhe ndëshkim ligjor shembullor të autorëve.
Përgjegjësia nuk mund të shmanget, drejtësia nuk mund të vonohet dhe askush nuk mund të jetë mbi ligjin!












