Romir Saraçi apel policëve: Mos zbatoni urdhra kriminalë, po përdoreni dhe do të përballeni individualisht me ligjin!

17:44, 29/11/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Kryeredaktori i Syri TV, Romir Saraçi, në një intervistë me moderatorin Bled Marku, ka komentuar plagosjen e deputetit të Partisë Demokratike, Kliti Hoti, si dhe dhunën e ushtruar nga policia ndaj protestuesve.

Saraçi e cilësoi ngjarjen si një nga rastet më të rënda të dhunës gjatë protestave, ndërsa u bëri thirrje efektivëve të policisë të mos zbatojnë urdhra të paligjshëm, pasi përgjegjësinë për veprimet e tyre do ta mbajnë individualisht.

Deklarata e Romir Saraçit:

Aktet e dhunës dhe plagosja e deputetit të Partisë Demokratike, Kliti Hoti, janë ndër ngjarjet më të rënda që u shtohen episodeve të dhunës të ndodhura ndaj qytetarëve shqiptarë gjatë protestave. Kanë kaluar gati 200 ditë dhe dhuna ka qenë e pranishme në çdo protestë.

Plagosja e një deputeti të Republikës së Shqipërisë, i cili nuk ishte aty për të qenë protagonist apo për t'u përballur me Policinë, është një nga ngjarjet më të rënda, që i vë kapakun dhunës brutale të ushtruar prej kaq ditësh ndaj protestuesve.

Ajo që është shqetësuese në këtë situatë është mungesa e marrjes së përgjegjësisë për dhunën, për plagosjen e deputetit, për lëndimin e gazetarëve dhe për gjakosjen e qytetarëve shqiptarë ditë pas dite. Edhe në një rast kaq të rëndë, kur plagoset një deputet, shohim përpjekje për të shmangur përgjegjësinë e drejtuesve dhe për ta paraqitur ngjarjen si përgjegjësi personale.

Do të bëja një apel për çdo efektiv të Policisë: Kur qëllon me plumba gome apo dhunon një qytetar, duhet të ketë parasysh se, ndonëse është në atë detyrë për të zbatuar ligjin, në momentin që tejkalon kompetencat dhe zbaton urdhra kriminalë, duhet ta ketë të qartë se do të përballet individualisht me ligjin. Ata që japin urdhra për akte të tilla dhe më pas i braktisin efektivët, në të vërtetë po i përdorin ata.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco