
Drejtori i Përgjithshëm i Doganave të Shqipërisë, Fation Shehu, dhe homologu i tij nga Kosova, Agron Llugaliu, u takuan sot në Tiranë për të diskutuar intensifikimin e bashkëpunimit operacional përmes patrullimeve të përbashkëta në kufirin e gjelbër. Sipas njoftimit të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave të Shqipërisë, ky instrument synon të shtojë efektivitetin e kontrolleve doganore mes dy vendeve.
Takimi shërbeu gjithashtu për të bërë bilancin e ecurisë së bashkëpunimit dhe për të identifikuar hapat konkretë për zgjerimin e tij, në funksion të një administrimi doganor më efikas dhe lehtësimit të shkëmbimeve tregtare. Një çështje tjetër e diskutuar ishte forcimi i shkëmbimit të informacionit dhe komunikimit online ndërmjet strukturave përgjegjëse për monitorimin dhe menaxhimin e riskut.
Qëllimi, sipas njoftimit, është evidentimi në kohë i problematikave dhe reagimi i koordinuar ndaj tyre. Palët vlerësuan edhe rëndësinë e zgjerimit të bashkëpunimit në fushën e sistemeve informatike dhe logjistikës. Kjo synon ndërveprim më të mirë mes administratave, modernizimin e proceseve dhe rritjen e kapaciteteve institucionale.
Në përfundim, dy drejtuesit riafirmuan vullnetin për të vijuar dialogun dhe bashkëpunimin e ngushtë. Ata synojnë që çështjet e diskutuara të kthehen në iniciativa konkrete, në interes të të dy administratave doganore dhe të operatorëve ekonomikë.