Arbër Hoxha protagonist në Kroaci, dopietë në fitoren e Dinamo Zagrebit

Sulmuesi i Kombëtares shqiptare, Arbër Hoxha, ka zhvilluar një paraqitje fantastike në kampionatin kroat, duke qenë vendimtar në suksesin 3-0 të Dinamo Zagrebit në transfertën ndaj Goricës.
Futbollisti kuqezi zhbllokoi rezultatin në minutën e 21-të, pas një asistimi të bukur nga Dani Rodriguez, duke i dhënë avantazhin skuadrës së tij.
Në pjesën e dytë, Dinamo pati mundësinë të dyfishonte shifrat me Dion Beljon, por sulmuesi shpërdoroi një 11-metërsh në minutën e 64-t.
Megjithatë, Hoxha mendoi sërish për golin e qetësisë. Në minutën e 83-të, pas një tjetër pasimi nga Rodriguez, shqiptari dërgoi topin në rrjetë, duke kompletuar dopietën personale.
Fitorja u vulos në minutën e 90-të nga Fran Topić, që fiksoi rezultatin përfundimtar 3-0.
Me këtë dopietë, Arbër Hoxha shkon në kuotën e tre golave në kampionatin kroat këtë sezon, duke dhënë një sinjal pozitiv edhe në prag të angazhimeve të ardhshme me Kombëtaren shqiptare.
Ndërkohë, Dinamo Zagreb vazhdon garën për kreun e renditjes, duke mbetur vetëm një pikë larg Hajduk Splitit.




