Aktualitet

“Mashtrues profesionist, nuk ka asnjë të vërtetë”/ Shehaj deklaroi se një protestues është në koma, Balla publikon deklaratën e mjekut të Traumës

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka reaguar pas deklaratës së deputetit të Partisë Mundësia, Agron Shehaj, se një prej protestuesve të lënduar ndodhet në gjendje kome dhe në rrezik për jetën.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Balla e ka cilësuar si të pavërtetë deklaratën e Shehajt, duke i bashkëngjitur reagimit të tij edhe deklaratën e një mjeku të Spitalit Universitar të Traumës.

“Një mashtrues profesionist sapo ka dalë dhe ka thënë se një protestues është në koma dhe në rrezik për jetën. Nuk ka asnjë të vërtetë! Ndiqni mjekun e Spitalit të Traumës”, shkruan Balla.

Në deklaratën e publikuar nga Balla, mjeku i Spitalit të Traumës bën me dije se protestuesi i lënduar një ditë më parë ka pësuar traumë në kokë dhe ndodhet në terapi intensive, nën monitorimin e vazhdueshëm të stafit mjekësor. Sipas tij, aktualisht ka indikacion për ndërhyrje kirurgjikale.

“Pacienti me traumë koke ndodhet në terapi intensive, nën kujdesin konstant të stafit mjekësor. Aktualisht paraqitet indikacion për operacion. Po ndiqet në zbatim të protokolleve mjekësore dhe monitorim të vazhdueshëm të parametrave vitalë dhe statusit neurologjik”, deklaron mjeku.

Ai thekson se pacienti qëndron i përgjumur, por reagon ndaj komunikimit verbal si të stafit mjekësor, ashtu edhe të familjarëve.

“Theksojmë, pacienti qëndron i përgjumur, por reagon ndaj stimulit verbal, qoftë të stafit dhe familjarëve të tij. Do të vlerësohet në dinamikë ecuria dhe mirëqenia e pacientit”, shprehet mjeku.

Më herët, përmes një reagimi në Facebook, deputeti Agron Shehaj deklaroi se një protestues ndodhet në gjendje kome, ndërsa një tjetër rrezikon humbjen e shikimit.

“Një protestues ndodhet në gjendje kome në rrezik për jetën, ndërkohë që një tjetër rrezikon shikimin”, shkroi Shehaj.

Deputeti i Partisë Mundësia denoncoi gjithashtu veprimet e policisë ndaj dy deputetëve të opozitës, Erald Kaprit dhe Kliti Hotit, gjatë protestave të 28 dhe 29 nëntorit, duke i kërkuar SPAK-ut të nisë menjëherë hetimet, të sekuestrojë pamjet dhe komunikimet e policisë, si dhe të identifikojë efektivët e përfshirë dhe drejtuesit që kanë dhënë urdhrat.