Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa kërkon dorëheqjen e Ervin Demos, duke e akuzuar për dështim në garantimin e të drejtës kushtetuese të protestës dhe për dhunën e ushtruar nga policia ndaj qytetarëve dhe deputetëve.
Zhupa e cilëson Ersild Alliun si “kriminel me uniformë” dhe kërkon hetimin e tij për tentativë vrasjeje dhe arrestimin e menjëhershëm, ndërsa pezullimin e konsideron një masë të pamjaftueshme përballë pamjeve të dhunës ndaj deputetit Kliti Hoti.
Ajo paralajmëron se përdorimi i plumbave të gomës ndaj protestuesve, veçanërisht kur qëllohen në pjesën e sipërme të trupit, përbën shkelje të rëndë të ligjit, duke sjellë në vëmendje edhe rastin tragjik të Mon Balajt dhe Arben Xheladinit në Kosovë, dhe kërkon që përgjegjësia të shkojë deri te urdhëruesit e dhunës.
Reagimi i Ina Zhupës:
Ervin Demo duhet jap dorëheqjen pa vonesë! Ka dështuar për të garantuar të drejtën kushtetuese të protestës dhe janë masakruar qytetar dhe deputet nga kriminel të veshur me uniformë që nuk njohin ligjin.
Ersild Alliu nuk është polic, është një kriminel me uniformë, i cili duhet të hetohet për tentativë vrasje dhe të arrestohet pa vonesë.
Demo tallet me pezullim, ndërkohë që pezullimi është masë qesharake para skenës që panë gjithë shqiptarët të goditjes në ushtrimin e detyrës të deputetit Kliti Hoti.
Mon Balaj dhe Arben Xheladini në Kosovë humbën jetën nga plumbat e gomës së policisë së UNMIK. Përdorimi i plumbave të gomës pa asnjë shkak dhe mbi pjesën e sipërme të trupit është shkelje e ligjit, tentativë vrasje me urdhër nga lart.
Urdhëruesi dhe kriminelët duhet mbajnë përgjegjësi.
© SYRI.net