Gazetari Osman Stafa ka denoncuar përdorimin e automjeteve pa shenja identifikuese të Policisë së Shtetit për shoqërimin e protestuesve gjatë tubimit në Tiranë.
Sipas Stafës, këto makina nuk kanë logo apo elemente që të tregojnë se i përkasin policisë, ndërsa brenda tyre ndodhen efektivë që mbajnë në uniformat e tyre mbishkrimin “Operacionalja”. Gazetari e ka cilësuar këtë praktikë si të pazakontë, duke ngritur pikëpyetje mbi mënyrën e kryerjes së shoqërimeve.
Ndërkohë, ndërhyrjet e policisë kanë vijuar edhe në sheshin “Skënderbej”, ku efektivët kanë tentuar të shoqërojnë protestues të tjerë. Qytetarët janë shpërndarë në rrugët e kryeqytetit, ndërsa tubimi kundër qeverisë vijon.
Protestuesit kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, duke shprehur pakënaqësi për situatën ekonomike dhe kushtet e jetesës në vend. Sipas tyre, politikat e qeverisë po ua bëjnë gjithnjë e më të vështirë të ardhmen në Shqipëri.













