Dy vjet pas sulmit terrorist ndaj kanalit të Ibër-Lepencit në Zubin Potok, rasti vazhdon të ketë rëndësi jo vetëm në aspektin juridik, por edhe në atë të sigurisë kombëtare dhe gjeopolitikës.

Në një analizë të publikuar nga Gjon Culaj, bashkëpunëtor i jashtëm në Institutin “Octopus”, e cilëson atë si një operacion hibrid kundër Kosovës, duke e ndërlidhur me strategjinë destabilizuese të Serbisë dhe ndikimin rus në rajon.

Culaj thekson se sulmi ndaj infrastrukturës kritike rrezikoi furnizimin me ujë dhe funksionimin e termocentraleve, duke e bërë atë një çështje të sigurisë kombëtare dhe jo vetëm një akt sabotimi.

Sipas Culajt, rasti i Ibër-Lepencit përbën edhe një test për pushtetin e ri në Serbi, i cili duhet të dëshmojë nëse do të distancohet nga politikat destabilizuese të ish-regjimit të Aleksandar Vuçiqit.

Ai vlerëson se deklaratat e përfaqësuesve të Listës Studentore për Kosovën nuk japin sinjale për ndryshim të qasjes së Beogradit ndaj pavarësisë së Kosovës.

“Në këtë drejtim, as pushteti i ri nuk ka dhënë sinjale të distancimit nga politikat agresive të ish-regjimit. Në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë, bartësi i listës fituese, Ilija Srdanoviq tha se dialogu me Kosovën do të vazhdojë vetëm në përputhje me “kushtetutën e Serbisë” (Teodorović, 2026). Ndërkaq, kandidati i Listës Studentore për president, Radomir Saiciq ishte edhe më radikal, duke e cilësuar Kosovën si “territor të okupuar përkohësisht” (RTS, 20/10/2026).”, ka shkruar ai.

Culaj thekson se Kosova duhet ta shfrytëzojë këtë rast për forcimin e sistemit të sigurisë, përmes ndëshkimit të përgjegjësve, fuqizimit të inteligjencës dhe bashkëpunimit ndërkombëtar, si dhe për të kërkuar përgjegjësi politike nga pushteti i ri serb.