Kreu i ‘Shqipëria Bëhet’, Adriatik Lapaj në një intervistë për Report Tv e ka cilësuar protestën që po zhvillohet jo për karrige, por për demokraci. Sipas tij protesta do të zhvillohet derisa të arrihet kjo gjë.
"Është një betejë e pandalshme. Nuk është vetëm dy ditë. Do të vazhdojë nesër, pasnesër. Do të vazhdojë deri ditën që Shqipëria të demokratizohet, në një mënyrë ose në një tjetër. Ju e mbani mend se si Taulant Balla na tregonte që protesta kishte rënë dhe tashmë në protestë sërish qenë mijëra njerëz. Kështu që e kanë të kotë.
Kjo nuk është një betejë për karrige. Kjo është një betejë për të demokratizuar Shqipërinë. Brezi ynë, brezi i rinisë, është brezi që ka vendosur të mos ikë nga Shqipëria dhe po lufton për ta demokratizuar vendin. Pra, është një betejë parimore dhe, si e tillë, do të jetë këtu derisa të gjejë një zgjidhje politike për demokratizimin e vendit", tha Lapaj.
Për aktet e dhunës Lapaj tha se sipas tij protestuesit po vetëmbrohen përballë policisë. Lapaj nënvizon se rinia e këtij vendi kanë dalë në shesh për të mos patur fatin e të afërmve të tyre, që sipas tij kur kanë shkuar në spital për mjekim nuk kanë gjetur ilaçe apo për prindërit që mund t'i kenë në emigrim dhe i shohin vetëm për Vit të Ri.
"Nëse unë të hedh duart në fyt dhe të mbys tani, çfarë do të bësh ti? Do të reagosh, do të vetëmbrohesh. Qytetarët, fëmijët e këtij vendi, e them fëmijët sepse janë kryesisht rinia e këtij vendi, po vetëmbrohen përballë një sistemi që nuk i dëgjon. Po vetëmbrohen se nuk duan më të bëjnë atë që kanë bërë baballarët e tyre. I kanë parë baballarët vetëm për Vit të Ri në shtëpitë e tyre, se pastaj ikin në emigrim gjatë vitit. Po vetëmbrohen se nuk duan të ndjekin fatin e të afërmve të tyre që, kur janë përballur me sëmundje dhe kanë shkuar në spital, nuk kanë gjetur ilaçe dhe kanë qenë të pafuqishëm.
Brezi ynë po vetëmbrohet sepse po kërkon ta vendosë Shqipërinë në shina. Nuk është një çështje se kemi inat njërin apo tjetrin. Unë jam këtu tani, në betejë, për të mos lejuar që të rinjtë të merren zvarrë, të arrestohen, me aq sa mundem. Po i marrin pse rrinë në shesh. Dua të rri në shesh. Është e ndaluar të rrijë në shesh një qytetar? Kështu që unë e shoh këtë që po ndodh si një betejë pa kthim të brezit tonë", shtoi Lapaj.
Në fjalën e tij Lapaj tha se Policia e Shtetit ka tejkaluar detyrën teksa vuri në dukje gjuajtjen me plumb gome ndaj deputetit Kliti Hoti. Kreu i 'Shqipëria Bëhet' tha se efektivët le të vijojnë me detyrën, por duhet ta bëjnë pa u kthyer në banda paramilitare
"Sot Policia e Shtetit, theksoj, ajo pjesë që i përket kapjes politike dhe krimit që është infiltruar brenda Policisë së Shtetit, ka gjuajtur me armë drejtpërdrejt sot një deputet. Një djalë tjetër është goditur prapë në sy. Një djali tjetër i është thyer nofulla me plumba plastikë, se ato s’janë gomë, ato janë plastikë. Ne kemi prova për ato. Dhe, në këtë kuptim, është një tejkalim total i detyrës së tyre. Nuk po thotë njeri të mos bëjnë detyrën. Le ta bëjnë, por detyrën duhet ta bëjnë pa u kthyer në banda paramilitare. Ne nuk kemi asgjë me policët e ndershëm të Policisë së Shtetit. Përkundrazi, po protestojmë edhe për ata, sepse shumica e tyre janë pa shtëpi. Edhe ata janë pa këpucë. Nuk u jep njeri këpucë. Kanë tre vjet që nuk kanë marrë uniformë. I lënë rrugëve të ngrenë dorën lart e poshtë, se nuk ka makina për t’i qarkulluar.
Ndërkohë, para për të blerë makina për të hedhur ujë ndaj protestuesve ka. Para për të blerë këpucë për punonjësit e policisë nuk ka. Para për të blerë gaz lotsjellës me tonelata ka. Para për t’u blerë uniforma gjatë verës? I keni parë si u bëhen si harta e Afrikës ato bluzat nga djersa, se s’kanë ç’të veshin. Nuk ka para për ato. Ndërkohë, para për të blerë shkopinj gome ka. Pra, jemi në një situatë surreale, në një situatë ku keqpërdoret buxheti i shtetit për të dhunuar ata që nuk mendojnë njësoj. Tani, nëse këtu ka ndonjë njeri që nuk mendon apo nuk beson që kemi një problem politik që duhet zgjidhur, jeton në një botë paralele. Po si do ta zgjidhin këta? Me dhunë do ta zgjidhin?", shtoi Lapaj.
Më tej ai theksoi se zgjidhja që ofron sheshi është dorëheqja e kryeministrit Rama dhe krijimi i një qeverie tranzitore.
"Zgjidhja që sheshi ka ofruar, dorëheqja e Edi Ramës. Nuk ka më legjitimitet. Ai thotë “kam 800 mijë vota”. Të dalë, të provohet në zgjedhje me qeveri asnjanëse, të tregojë sa i ka, ta provojë. Po me një qeveri ku ai nuk e përdor policinë për të mbrojtur ata që blejnë votat, me një qeveri ku nuk e përdor buxhetin e shtetit për të dhënë ndihma ekonomike qyl, falas, kot, tek ata që takon.
Pra, dorëheqja e Edi Ramës. Qeveri tranzitore 12-mujore, që të përgatisë vendin për zgjedhje demokratike. Reformimi i Kodit Zgjedhor në proporcional kombëtar me lista të hapura, që votat të mos i vjedhin këta përmes formulës. Shfuqizimi i Paketës së Maleve, i ligjit për investimet strategjike, i ligjit për zonat e mbrojtura dhe erdhi zgjidhja.
Më thuaj një nga këto kërkesa që është kërkesë që të ikë Edi Rama dhe të vijë filani. Asnjë. Janë që të gjitha kërkesa parimore, demokratike. Pra, kjo është çështje për të demokratizuar Shqipërinë. Të bëhen këto, u zgjidh, nuk ka problem", tha Lapaj.
Sa i përket thirrjes së Berishës për një kandidat të përbashkët në vendoret e 2027-ës Lapaj tha se fillimisht Partia Demokratike fillimisht duhet të dëgjojë qytetarët në lidhje me mendimin që ka për kreun e tyre.
"Që PD të dëshmojë se po i dëgjon qytetarët, duhet së pari të dëgjojë qytetarët sa i takon lidershipit të vet, sepse qytetarët nuk janë dakord me lidershipin e PD-së", tha Lapaj.











