Kryetari i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, ka deklaruar se 34-vjeçari Briken Tuci, i plagosur në kokë gjatë protestës së 28 nëntorit në Tiranë, vijon të jetë në gjendje të rëndë shëndetësore.
Shehaj bëri me dije se ka kontaktuar me familjarët e të plagosurit, të cilët i kanë konfirmuar gjendjen e rënduar dhe kanë shprehur shqetësimin për situatën e tij shëndetësore.
“Unë sapo fola me familjarët e tij. Ata më thanë se gjendja e Brikenit është e rëndë. Familjarët më shprehën shqetësimin e tyre për gjendjen reale shëndetësore të të afërmit të tyre”, shkruan Shehaj në një postim në rrjetet sociale.
Kreu i Mundësia bëri gjithashtu të ditur se, pas kontaktit me familjarët, ka nisur përpjekjet për të mundësuar ekzaminimin urgjent të 34-vjeçarit nga një mjek i huaj.
“Pas dhunës që pamë këto ditë, e kuptoj frikën e tyre se pushteti është i gatshëm të mbulojë çfarë ka ndodhur. Ndërkohë, përparësi ka shëndeti i Brikenit. Po bëjmë të mundur që ai të ekzaminohet urgjentisht nga një mjek nga jashtë vendit”, theksoi Shehaj.
