Robin Krasniqi shpërthen pas duelit Hysa-Kabayel: Të dorëzohemi në atë mënyrë është e rëndë

Boksieri i njohur shqiptar, Robin Krasniqi, ka reaguar ashpër pas përballjes mes Nelson Hysës dhe Agit Kabayel, e cila përfundoi pas vetëm pesë minutash, pas ndërprerjes së ndeshjes nga stafi i boksierit shqiptar.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Krasniqi ka shprehur zhgënjimin e tij për mënyrën se si përfundoi dueli, duke ngritur shqetësime edhe për mënyrën se si ndërtohen disa karriera në boksin profesionist shqiptar.
Ai thekson se humbjet janë pjesë e sportit dhe se një boksier mund të mposhtet apo të dominohet nga kundërshtari, por sipas tij, mënyra se si u ndërpre përballja me Kabayel ishte e papranueshme.
“Çdo gjë mund të ndodhë në ring, por të dorëzohemi në atë mënyrë qesharake, pa u goditur fare, është diçka e rëndë”, shkruan Krasniqi, duke shtuar se ndien turp si sportist.
Në reagimin e tij, boksieri shqiptar ngre gjithashtu shqetësimin për karrierat e ndërtuara me kundërshtarë jocilësorë dhe me pikëpyetje mbi seriozitetin e disa përballjeve. Sipas tij, përballja me një kundërshtar të nivelit të lartë nxjerr në pah realitetin e përgatitjes së një sportisti.
Në fund, Krasniqi u ka bërë thirrje të rinjve që t’i përkushtohen boksit vetëm nëse e duan vërtet këtë sport dhe kanë shpirtin luftarak që kërkon ai.
REAGIMI I PLOTË
Miq të dashur,
Siç e dini të gjithë, unë nuk jam sportisti që flet shumë. Të gjithë karrierën time e kam ndërtuar me shumë punë e përkushtim, duke folur shumë pak apo duke heshtur plotësisht, si për duelet e mia, ashtu edhe për ato të kolegëve të mi, për të cilat kam folur edhe më pak.
Por kësaj radhe nuk kam si të mos flas. E ndiej si obligim ndaj tifozëve të boksit të flas për një realitet dhe një dukuri që ka nisur ta njollosë rëndë boksin shqiptar.
Epilogu i asaj dukurie të pahijshme, për të cilën do të flas në rreshtat në vazhdim, u pa mbrëmë më së miri. Nëse një karrierë në boksin profesionist ndërtohet me kundërshtarë jocilësorë, madje me shumë pikëpyetje edhe sa i përket sinqeritetit të dueleve, një ditë do të vijë koha kur do të përballesh me një kundërshtar të vërtetë. E tani, çfarë?
Atëherë do t’ju ndodhë të gjithëve ajo që i ndodhi mbrëmë kolegut tonë Hysa në ndeshjen me Kabayel. Ajo që pashë unë mbrëmë, më vjen shumë keq ta komentoj. Ndiej turp si sportist, sepse ne mund të humbim, mund të mos boksojmë bukur, kundërshtari mund të na deklasojë. Çdo gjë mund të ndodhë në ring, por të dorëzohemi në atë mënyrë qesharake, pa u goditur fare, është diçka e rëndë, duke pasur parasysh përgjegjësinë që kemi ndaj tifozëve dhe popullit tonë, e aq më tepër ndaj një dite të shenjtë si 28 Nëntori dhe ndaj flamurit tonë!
Andaj, kam një apel për të gjithë të rinjtë: të marrin mësim nga kjo dukuri, të mos fillojnë apo të ndërtojnë karriera joserioze në boks, por t’i qasen këtij sporti fisnik vetëm e vetëm nëse e duan me të vërtetë dhe kanë zemër e shpirt luftarak.
Ju faleminderit për mirëkuptimin!
I juaji,
Robin Krasniqi




