Elbasani u mund 2-1 nga Egnatia në Rrogozhinë, në takimin përmbyllës të javës së 13-të të Superiores. Pas ndeshjes, trajneri i verdhebluve, Glen Daja, foli për mediat rreth lojës dhe mungesave në skuadrën e tij.
“Më vjen keq më shumë për pikët sesa për mënyrën si humbëm. Sa i takon paraqitjes, mendoj se ishim më superiorë se kundërshtari”, u shpreh Daja.
Të lidhura
None found
I pyetur për gjendjen e Aleksovskit dhe lojtarëve të tjerë të dëmtuar, ai tha: “Aleksovski është portieri i parë dhe do të luante nëse do të ishte në gjendje të mirë. Mungoi edhe Nikaj, golashënuesi ynë, çka ishte e rëndësishme. Boriçi dhe Diallo gjithashtu nuk ishin, pra bëhet fjalë për katër titullarë. Kjo nuk është justifikim, por me ta mund të kishim qenë edhe më mirë. Edhe Lleshi vinte pas një dëmtimi.”
Daja komentoi gjithashtu udhëzimet taktike dhe zbatimin e tyre: “Mendoj se mund të ketë ndodhur kjo e dyta, pra që lojtari të mos i ketë interpretuar udhëzimet. Kundërshtari i pestë duhej të futej me diagonalen e rombit. Gjatë gjithë ndeshjes dilnim shumë lirshëm nga krahët.”
Për Hebajn dhe vështirësitë e Elbasanit në transfertë, trajneri tha: “Është e drejtë që Hebaj të qëndronte më pranë portës, por, duke parë kontingjentin që kisha në dispozicion, kjo ishte zgjidhja më e mirë. Për transfertat, nuk besoj se kjo gjendje do të vazhdojë. Po të mos bënim këto gabime, do të flisnim ndryshe.”







