Një tjetër protestues raportohet se është plagosur me plumba gome gjatë protestës së zhvilluar në Tiranë. Një djalë i ri ka marrë disa goditje në pjesë të ndryshme të trupit, nga zona e gjoksit deri në qafë.
Pamjet e publikuara në rrjetet sociale nga një qytetare tregojnë shenjat e plagëve në trupin e të riut, duke ngritur pikëpyetje mbi përdorimin e plumbave të gomës nga efektivët e policisë gjatë ndërhyrjeve për shpërndarjen e protestuesve.
“Po për të qëlluar këtë djalin a kishit leje?”, shkruan qytetarja në reagimin e saj në Facebook, krahas videos së publikuar.
Rasti vjen pas plagosjes së deputetit demokrat Kliti Hoti me plumb gome gjatë së njëjtës protestë, ngjarje që ka nxitur reagime të shumta politike dhe publike.













