Eksperti zgjedhor Andon Kume u shpreh se Komisioni i Reformës Zgjedhore ka dështuar në përmbushjen e mandatit të tij për t’i dhënë shoqërisë një reformë zgjedhore të plotë, duke theksuar se produkti i vetëm i rakorduar ishte ai për financimin e partive politike.
Ai nënvizoi se paketa e fundit e paraqitur nga bashkëkryetari i reformës synon ndryshime në Kodin Zgjedhor dhe ndarjen e shtetit nga partia.
Sipas Kumes, raportet e OSBE/ODIHR-it kanë evidentuar ndërhyrjen e shtetit në zgjedhje, një problematikë që kërkon adresim.
“Produkti përfundimtar është një produkt i rakorduar për financimin e partive politike. Një paketë për ndryshimet për referendumet, produkt i PS-së. Produkte të tjera nuk ka pasur. Tashmë jemi në një fazë ku rivaliteti mes forcave opozitare dhe qeverisëse është bërë më i ashpër. Mandati i Komisionit të Reformës Zgjedhore, sepse për ndryshimin e ligjeve zgjedhore krijohet një komision, duke qenë se janë çështje të ndjeshme.
Në këtë moment, ky komision ka dështuar në mandatin e tij për t’i dhënë shoqërisë një reformë zgjedhore të plotë. Në ditët e fundit, bashkëkryetari i Reformës Zgjedhore ka paraqitur një paketë me norma që do të ndryshonin Kodin Zgjedhor, ndarjen e shtetit nga partia. Raportet e OSBE/ODIHR-it janë që shteti ndërhyn në zgjedhje”, tha ai për ABC News.