Një 25-vjeçar është arrestuar në Ferizaj, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike ndaj të dashurës së tij, duke i shkaktuar lëndime në trup.
Ngjarja është regjistruar të dielën në rrugën “Brigada 161”. Pas marrjes së njoftimit, njësitë e Policisë së Kosovës kanë mbërritur në vendngjarje, ku kanë kontaktuar me viktimën dhe një dëshmitare, raporton Kosova Press.
Sipas policisë, dyshohet se konflikti ka nisur pas një mosmarrëveshjeje. E dëmtuara ka marrë ndihmë mjekësore në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Ferizaj.
“Dyshohet se, pas një mosmarrëveshjeje, një 25-vjeçar, i dashuri i viktimës, e kishte sulmuar fizikisht atë, duke i shkaktuar lëndime. Viktimës i është ofruar tretman mjekësor në QKMF në Ferizaj. I dyshuari është shoqëruar në stacionin policor dhe pas intervistimit të palëve, në konsultim me prokurorin e shtetit, është iniciuar rasti për veprën penale “Lëndim i lehtë trupor””, thuhet në njoftim.
I dyshuari është shoqëruar në rajonin policor dhe, me vendim të prokurorit, është ndaluar për 48 orë.


