Autoritetet izraelite njoftuan sot se do të kërkojnë vendosjen e dënimit me vdekje për një palestinez, i cili akuzohet për vrasjen e një kolonisti franko-izraelit. Sipas “Retuers”, ky është rasti i parë që nga hyrja në fuqi e një ligji të diskutueshëm, i cili lejon një masë të tillë.

Në një deklaratë, ushtria bëri të ditur se kishte njoftuar familjen e Netanel Tsukrunit, i cili u qëllua për vdekje në mesin e shtatorit në pjesën qendrore të Bregut Perëndimor të pushtuar, se prokuroria ushtarake do të paraqesë nesër, të hënën, një aktakuzë në bazë të këtij ligji të ri, i cili parashikon dënimin me vdekje, përveç rasteve kur një gjykatë ushtarake vendos burgim të përjetshëm për arsye të veçanta.

Ky është akti i parë i akuzës që paraqitet në Izrael që nga hyrja në fuqi e legjislacionit të ri, majin e kaluar, me nismën e ministrit në largim të Sigurisë Publike, përfaqësuesit të ekstremit të djathtë, Itamar Ben-Gvir.

Në mars, Kneseti miratoi ligjin e diskutueshëm, sipas të cilit dënimi me vdekje me varje bëhet rregulli për palestinezët që dënohen nga gjykatat ushtarake për sulme me pasoja fatale. Ky ligj vendos në mënyrë të detyrueshme “dënimin me vdekje për terroristët”, i cili në praktikë do të zbatohet vetëm ndaj palestinezëve që shpallen fajtorë për sulme kundër izraelitëve.

Dispozita e përgjithshme e ligjit përcakton se kushdo që “shkakton qëllimisht vdekjen e një personi tjetër me synimin për të dëmtuar një shtetas ose banor izraelit, si dhe me qëllim për t’i dhënë fund ekzistencës së Shtetit të Izraelit, dënohet me vdekje ose me burgim të përjetshëm”.

Ben-Gvir e përshëndeti njoftimin e sotëm të ushtrisë, duke e cilësuar atë si një “hap historik”. Në një video të publikuar në Telegram, ai deklaroi se “çdo terrorist që kryen akte të tilla do të ekzekutohet”. Ai publikoi gjithashtu në platformën X një fotomontazh ku shfaqet duke buzëqeshur pranë një litari varjeje.

Netanel Tsukrun u vra nga një person i armatosur më 20 shtator, pranë vendbanimit Neve Tzuf, në pjesën qendrore të Bregut Perëndimor të pushtuar, një ditë para festës hebraike të Jom Kipurit. Autoritetet izraelite arrestuan një të dyshuar, Kadri Samara, i cili, sipas ushtrisë, e pranoi vrasjen gjatë marrjes në pyetje dhe deklaroi se dëshironte të “vdiste si dëshmor”.

Edhe ministri në largim i Mbrojtjes, Israel Katz, e përshëndeti vendimin e gjykatës ushtarake, duke deklaruar në platformën X se ky është ndëshkimi i duhur për këtë terrorist të neveritshëm. Dënimi me vdekje ekziston në Izrael, por është zbatuar vetëm dy herë: në vitin 1948, pak kohë pas themelimit të shtetit, ndaj një kapiteni të akuzuar për tradhti të lartë dhe në vitin 1962, kur u var krimineli nazist i luftës Adolf Eichmann.