Zvicra do të kufizojë përdorimin e fishekzjarrëve që shkaktojnë zhurmë të madhe, pas miratimit të një nisme në referendumin e së dielës, më 29 nëntor. Sipas Reuters, rreth 60% e votuesve mbështetën nismën, e cila synon të mbrojë njerëzit, kafshët dhe mjedisin nga shpërthimet e forta, mbeturinat dhe aksidentet.
Qeveria dhe parlamenti, që kishin kundërshtuar kufizimet, kanë dy vjet kohë për të përcaktuar detajet e ndalimit, përfshirë kategoritë e fishekzjarrëve që konsiderohen të zhurmshëm. Fishekzjarrët më pak të zhurmshëm, si shkopinjtë xixëllues dhe qirinjtë romakë, do të vazhdojnë të lejohen. Përjashtime mund të jepen për organizimin e aktiviteteve të mëdha, por individëve do t’u ndalohet ndezja e fishekzjarrëve që shkaktojnë zhurmë të fortë.
Mbështetësit e nismës përdorën materiale sensibilizuese, përfshirë postera që paraqisnin mace dhe qen të frikësuar, duke argumentuar se fishekzjarrët rrisin nivelin e stresit te kafshët dhe njerëzit dhe krijojnë mbeturina që shpesh përfundojnë në fusha. Roman Huber, anëtar i komitetit të referendumit dhe trajner qensh, tha se fishekzjarrët ndizen disa ditë para dhe pas festave të rëndësishme kombëtare, duke u kthyer në një shqetësim gjatë gjithë vitit, dhe shtoi: “Njerëzit mund të thonë se fishekzjarrët janë thjesht një mënyrë për t’u argëtuar. Por nuk është argëtim kur njerëzit dhe kafshët vuajnë.”
Kundërshtarët e propozimit e përshkruan atë si një sulm ndaj lirisë individuale, duke theksuar se fizhekzjarrët janë pjesë thelbësore e festimeve popullore, si nata e ndërrimit të viteve dhe Dita Kombëtare e Zvicrës. Ligjvënësi Andrea Caroni nga Partia Liberale (FDP) tha para votimit se “Mbështetësit e këtij ndalimi janë njerëz që ua prishin të tjerëve gëzimin” dhe se “Fishekzjarrët janë një shprehje e gëzimit”, duke argumentuar se përdorimi i tyre tashmë rregullohet me masa të rrepta dhe se nuk duhet të kufizohet më tej përmes një ndalimi të përgjithshëm kombëtar.
Lajmi transmetohet nga Top Channel, me burim Reuters.

