
Nuk do ta mendoja kurrë, as në ëndrrën më të çuditshme, se me datë 28 nëntor të vitit 2025, do të kaloja orët e fundit me imzot Simon Kullin, në Rrëshen. Ishim bashkë për Ditën Botërore të të Rinjve, për të cilën ai kishte ardhur me të rinjtë e dioqezës së tij. Kemi ndenjur së bashku pothuaje gjithë kohës dhe ndërkohë që të rinjtë punonin në grupe, ne patëm shëtitur nëpër rrugët e Rrëshenit duke biseduar. Dikur, qemë ulur për të pirë një kafe në njërin prej bareve të qytetit, ku ai qe njohur me disa banorë që ndodheshin aty dhe patëm bërë biseda të ndryshme. Nuk më pati dhënë asnjë shenjë se kishte ndonjë frikë apo problem. Mandej patëm kremtuar Meshën e Shenjtë, meshën e fundit, Eukaristinë e fundit së bashku. Kurse drekën pati preferuar ta hante bashkë me të rinjtë e tij, për të mos u shkëputur prej tyre. Ishte hera e fundit që e pashë gjallë.
Të nesërmen në mëngjes, ndërsa po shkoja nëpër fshatra për meshë, rrugës për në fshatin Simon, më telefonuan dhe më dhanë lajmin që nuk e prisja kurrsesi: atë të vdekjes së imzot Simonit. Nuk di t’i përshkruaj saktësisht ndjesitë që kam përjetuar në ato momente…
Ne jemi emëruar ipeshkvij në të njëjtën ditë dhe jemi shuguruar me një diferencë prej dy javësh nga njëri-tjetri, në një atmosferë hareje kishtare të pashoqe. Emërimi ynë ka qenë një gëzim për Kishën në Shqipëri, sepse ishim brezi i parë i ipeshkvijve shqiptarë të pas komunizmit. Ishim të vetëdijshëm edhe për peshën e përgjegjësisë që kishte kjo gjë, përveçse për dhuratën e madhe që na ishte bërë neve e Kishës. Papa Françesku kishte pasur besim te ne dhe ishte figura e këtij Pape ajo që edhe e shoqëronte shërbesën tonë.
E nisëm së bashku përvojën tonë si ipeshkvij, me gjithë imzot Giovanni Peragine-n. Të tre kishim punuar në Shqipëri si famullitarë; e kishim ndjekur rritjen e kësaj Kishe hap pas hapi; e njihnim mirë çdo detaj të kësaj Kishe dhe brenda nesh kishte një dashuri të madhe për të. Të tre ishim caktuar për të shërbyer si barinj në zona të vështira të Shqipërisë, por fakti që ishim të rinj dhe plot entuziazëm e bënte më të lehtë për ne angazhimin tonë.
Qysh në fillim, patëm një frymë të mirë bashkëpunimi midis nesh. E njihnim mirë historinë e Kishës sonë, bukuritë, por edhe problemet e saj. Ia kishim besuar Hyjit krejt shërbesën tonë dhe kishim shpresë e besim edhe te mbështetja shpirtërore e bujaria e popullit tonë, sikurse edhe tek ajo e meshtarëve dhe rregulltarëve tanë.
Simonin mësova ta njoh dalëngadalë. Ajo që e ka karakterizuar atë gjatë kohës që e ushtroi shërbesën ipeshkvore, ka qenë kujdesi i tij i madh ndaj të varfërve dhe ndaj personave me aftësi të kufizuara. Ata ishin të veçantë për të. Në çdo kremtim dhe kurdo mundej, ai do të ishte me ata dhe ata do të ishin gjithmonë aty pranë tij. E ndiente vuajtjen dhe dhembjen e tyre. Në fakt, edhe në Konferencën Ipeshkvore, ai drejtonte Komisionin e Shëndetësisë dhe të Emigracionit. Angazhimi dhe interesimi i tij ishte i zellshëm e serioz, sepse kur ai e merrte përsipër një detyrë, mundohej që ta çonte atë deri në fund me përkushtim. Gjithmonë i rezervuar në të folur dhe i ngadaltë, ai e dinte çfarë thoshte dhe kjo ishte mençuria e tij.
Thelbi i personit të tij nuk qëndronte te fjalët e shumta, por te gjestet domethënëse.
Imzot Simoni u tregua një njeri besnik ndaj Kishës dhe besnik ndaj vetvetes. Këtë dua ta theksoj, sepse imzot Simoni nuk bënte kompromise me gjërat e Kishës, në kuptimin që për të Kisha dhe mësimi i saj, sidomos ai i Atit të Shenjtë, ishin shumë të rëndësishme dhe nuk viheshin në diskutim.
Ai kishte një lidhje të veçantë me Atin e Shenjtë, sidomos me Françeskun. Për këtë, më pëlqen shumë të tregoj një anekdotë, me të cilën qeshnim shpeshherë me imzot Simonin. Ne kemi shkuar te Papa Françesku si ipeshkvij, për herë të parë, rreth një muaj pasi ishim shuguruar. Meqenëse unë isha shuguruar përpara imzot Simonit e imzot Giovanni-it, ata më linin gjithmonë mua që të prija. Herën e parë, Papa më pati pyetur: “Ti je ai që e ka pagëzuar murgesha?” “Jo.” – i qeshë përgjigjur. “Eshtë ai pas meje.”
Herën e dytë, qëlloi përsëri që të ishim bashkë me Simonin tek Ati i Shenjtë dhe u përsërit e njëjta skenë. Papa Françesku më bëri të njëjtën pyetje dhe unë i dhashë të njëjtën përgjigje.
Kur ishim prapë të dy tek Ati i Shenjtë, herën e tretë, i thashë: “Simon, shko ti përpara, që Papa të të pyesë direkt ty.”
Përtej shakasë, mund të them se çdo herë që e kam takuar Papa Françeskun, ai më kërkonte t’i bëja të fala imzot Simonit, që e mbante mend si ipeshkvin që është pagëzuar nga murgesha. E kjo murgeshë ishte halla Marie, d.m.th. motra stigmatine, Marie Kaleta, e cila ka vdekur para pak kohësh me famën e shenjtërisë. Lidhja e imzot Simonit me motrën ishte shumë e fortë, ashtu sikurse ishte e fortë lidhja e tij me Kishën e vuajtur në Shqipëri. Ai e ndiente thellësisht e plotësisht martirizimin e meshtarëve dhe gjithmonë shpallte se ata kishin qenë për të nxitje drejt rrugës së meshtarisë. Kishte krijuar në dioqezën e tij shtegtimin që e bënte çdo 5 nëntor drejt Kishës së Martirëve në Blinisht. Madje ai qe bërë edhe shtysë e dëshirës që lista e martirëve të zgjerohej, sepse ka ende martirë që nuk janë trajtuar.
Kishës së Sapës dhe të gjithëve ne, na mungon shumë prania e imzot Simonit, por ne jemi edhe besimtarë e si të tillë, falënderojmë Hyjin për kohën që e patëm atë në mesin tonë, për shembullin e bukur që na la, për mirësinë e personit të tij. Në historinë e Kishës në Shqipëri, imzot Simoni i mirë do të jetë gjithmonë shembulli i njeriut dhe i ipeshkvit që e deshi fort Hyjin dhe grigjën që Ai i besoi. Për ne që e njohëm dhe që patëm privilegjin të bashkëndajmë me të një copë rrugë, ai mbetet frymëzim. /Nga Imzot Gjergj Meta, Ipeshkëv i Rrëshenit dhe President i Konferencës Ipeshkvore të Shqipërisë, publikuar në Facebook/




