E diel, 29 Nëntor 2026 Film TV deri në 23:00 Në vijim ora 23:00: Lajmet e Fundit dhe Moti Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Video · Lifestyle

Astma dhe virozat e stinës/ Dr. Ardida Ibraj shpjegon shenjat e alarmit, gabimet me pompat inhalatore dhe si jetohet normalisht me astmën.

Pse gripi dhe ftohjet e përkeqësojnë astmën? Kur një kollë që nuk po kalon është shenjë se duhet të shkoni te mjeku?

Për këtë temë foli në emisionin “Diagnozë” nga Freskida Miloti në Vizion Plus doktoresha Ardida Ibraj, mjeke alergologe në klinikën Virhov.

Në këtë sezon të infeksioneve virale, shumë njerëz ankohen edhe për probleme të frymëmarrjes. Për personat me astmë, këto infeksione mund të sjellin komplikacione.

Pse virozat e përkeqësojnë astmën?

Reklamë

Sipas doktoreshës, astma është një sëmundje kronike ku bronket janë shumë më të ndjeshme se zakonisht. Ato reagojnë fort ndaj ajrit të ftohtë, aktivitetit fizik, alergjenëve apo infeksioneve. Në këto raste muskujt rreth bronkeve tkurren, sekrecionet shtohen dhe mukoza fryhet. Si pasojë shfaqen kolla, vështirësia në frymëmarrje, shtrëngimi në gjoks dhe fishkëllima.

Ajo shpjegoi se infeksionet virale janë shkaku kryesor i përkeqësimit të astmës. Ato qëndrojnë pas rreth 80% të përkeqësimeve te fëmijët dhe 50 deri në 75% të atyre te të rriturit.

Doktoresha theksoi se kolla pas një viroze mund të zgjasë disa javë dhe kjo është e zakonshme. Por kur kolla e thatë zgjat mbi tre javë, rëndohet natën ose herët në mëngjes, ose acarohet pas lodhjes apo ajrit të ftohtë, duhet një vlerësim nga mjeku. Kur kolla zgjat mbi tetë javë, sipas saj, duhet hetim i plotë. Ajo shtoi se astma nuk duhet as të mbidiagnostikohet, as të nënvlerësohet.

“Kraharori i heshtur është shenjë alarmi”

Për diagnozën, mjekja shpjegoi se fillimisht shihet nëse astma është alergjike apo jo, përmes prick-testeve ose analizës së IgE-ve specifike. Këto mund të bëhen edhe te fëmijët. Spirometria, ose prova funksionale e frymëmarrjes, preferohet pas moshës pesë vjeç. Te fëmijët më të vegjël, diagnoza vendoset kryesisht nga ekzaminimi klinik.

Ajo paralajmëroi se fishkëllima e shoqëruar me vështirësi të fortë në frymëmarrje dhe shtrëngim në gjoks kërkon vizitë urgjente. Sipas saj, edhe mungesa e fishkëllimës nuk është gjithmonë shenjë e mirë. Në rastet shumë të rënda ajri kalon aq pak sa fishkëllima nuk dëgjohet fare. Nëse personi nuk arrin të flasë me fjali të plota, duhet të shkojë menjëherë në urgjencë.

“Gabimet me pompën inhalatore”

Kur një pacient me astmë kalon një virozë, doktoresha këshilloi që të vazhdojë rregullisht terapinë mbajtëse dhe të mos ndryshojë dozat vetë. Sipas saj, ideale është që pacienti të ketë një plan veprimi të shkruar nga mjeku. Ajo rekomandoi pushim dhe shumë lëngje, por paralajmëroi që antibiotikët dhe kortizonikët të mos merren pa këshillën e mjekut.

Mjekja theksoi se edhe ilaçi më i mirë nuk bën efekt nëse inhalatori përdoret gabim. Sipas të dhënave që ajo përmendi, vetëm rreth 31% e pacientëve e përdorin saktë. Ajo këshilloi të nxirret gjithë ajri para përdorimit, të koordinohet shtypja me frymëthithjen dhe të mbahet fryma për pak sekonda. Pas inhalatorëve me kortizonik goja duhet shpëlarë, për të shmangur mykozën. Për fëmijët, sipas saj, ndihmon shumë përdorimi i dhomës ndërmjetëse (spacer).

Doktoresha tha se tymi i duhanit, grimcat e imta të ndotjes, pluhuri, lagështia dhe myku rrisin inflamacionin e bronkeve. Megjithatë, sipas saj, jo të gjithë pacientët janë të ndjeshëm ndaj pluhurit të shtëpisë. Për këtë arsye shkaktari duhet zbuluar me teste.

Mjekja shtoi se astma mund të shfaqet edhe në moshë të rritur, përfshirë astmën profesionale nga kimikatet në vendin e punës. Nëse zbulohet herët dhe shmanget shkaktari, sipas saj, ajo mund të jetë e kthyeshme.

Mesazhi i doktoreshës ishte i qartë: astma nuk është sëmundje invalidizuese. Me mjekimin e duhur, kontrolle të rregullta dhe teknikën e saktë të inhalatorit, një pacient me astmë mund të punojë, të udhëtojë dhe të bëjë aktivitet fizik si çdo njeri tjetër.

Emisioni “Diagnozë” nga autorja dhe moderatorja Freskida Miloti, transmetohet çdo të diel në orën 18:00 në Vizion Plus.

Më shumë video

Reklamë

Lini një koment

Me respekt — komentet moderohen nga redaksia.
Nuk publikohet kurrë.