
Kreu i Kuvendit, Niko Peleshi, ka reaguar pas lëndimit të deputetit Kliti Hoti gjatë protestës në Tiranë. Përmes një deklarate, Peleshi ka shprehur solidaritetin me deputetin dhe familjen e tij, duke i uruar shërim të shpejtë.
Kreu i Kuvendit u ka bërë thirrje organeve kompetente të zhvillojnë një hetim të shpejtë, të paanshëm dhe transparent për zbardhjen e rrethanave të incidentit, si dhe të çdo lëndimi tjetër të ndodhur gjatë protestës.
“Kërkoj nga organet kompetente, një hetim të shpejtë, të paanshëm dhe transparent për rrethanat e këtij incidenti dhe të çdo lëndimi tjetër të sotëm. Nëse ka pasur shkelje, përgjegjësia duhet vendosur sipas ligjit, kushdo qoftë ai që i ka kryer”, shprehet Peleshi.
Në përfundim të reagimit të tij, kryetari i Kuvendit ka theksuar se e drejta e protestës paqësore është e garantuar nga Kushtetuta dhe duhet respektuar, ndërsa asnjë formë dhune nuk mund të justifikohet.