Një 55-vjeçar ka humbur jetën si pasojë e një aksidenti rrugor në fshatin Perondi të Kuçovës. Viktima është Andrea Buçka, banor i zonës, i cili po udhëtonte me biçikletë kur u përplas nga një automjet.
Për shkak të plagëve të marra, ai u transportua me ambulancë drejt Spitalit Rajonal të Beratit në gjendje të rëndë shëndetësore. Por, pavarësisht ndihmës mjekësore, 55-vjeçari ndërroi jetë sapo mbërriti në spital.
Ndërkohë, drejtuesi i automjetit është shoqëruar në polici. Trupi i viktimës është dërguar në morgun e spitalit.
Grupi hetimor ka kryer këqyrjen e vendit të ngjarjes, ndërsa dyshimet paraprake janë se aksidenti mund të jetë shkaktuar nga shpejtësia e automjetit. Hetimet vijojnë për të përcaktuar rrethanat e plota të përplasjes.













