Parimi se armiku i armikut tim është miku im përbën një nga konceptet më të njohura të marrëdhënieve ndërkombëtare. Por çfarë ndodh kur një partner bashkëpunon edhe me kundërshtarin tuaj? Politika globale ofron shembuj të shumtë se si vendimet e mbështetura në interesa strategjike mund të prodhojnë pasoja të papritura për vetë shtetet që i ndërmarrin ato.
Një shembull është transferimi nga Izraeli drejt Kinës i teknologjive të avancuara të raketave dhe avionëve luftarakë, në kundërshtim me marrëveshjet e eksportit me Shtetet e Bashkuara.
Sipas analizës së publikuar në ForeignPolicy, transferimi i njohurive teknologjike amerikane ka përforcuar kapacitetet ajrore të Kinës, duke sfiduar pozicionin strategjik të SHBA-së në Paqësor. Njëkohësisht, ai ka ndihmuar në përmirësimin e raketave që Kina i ka eksportuar Iranit dhe që më pas Irani i ka përdorur kundër Izraelit.
Një rast tjetër lidhet me shkencëtarin bërthamor pakistanez A. Q. Khan, i cili gjatë viteve 1970 siguroi në mënyrë të paligjshme teknologjinë e centrifugave nga Holanda. Veprimtaria e tij përshpejtoi programin bërthamor të Pakistanit, por edhe programet e Koresë së Veriut dhe Iranit.
Në vitin 2026, sipas artikullit, Arabia Saudite, Pakistani dhe Turqia nënshkruan paktin e mbrojtjes të Mekës, me synimin për të mbrojtur Arabinë Saudite nga kërcënimi bërthamor iranian, ndonëse Irani kishte përfituar nga teknologjia e shpërndarë prej Khanit.
Nga anarkia te kaosi
Teoria realiste e marrëdhënieve ndërkombëtare mbështetet në konceptin e anarkisë, që nënkupton mungesën e një autoriteti qendror në sistemin ndërkombëtar. Ajo identifikon modele sjelljeje, si balancimi i fuqisë dhe rreshtimi përkrah aktorëve më të fuqishëm.
Megjithatë, këto modele nuk arrijnë gjithmonë të shpjegojnë zhvillimet e gjeopolitikës bashkëkohore. Artikulli argumenton se bota po funksionon gjithnjë e më shumë sipas logjikës së kaosit sesa asaj të anarkisë.
Në kuptimin shkencor, teoria e kaosit nuk nënkupton mungesën e rregullave. Aktorët ndjekin rregulla të përcaktuara, por ndërveprimi ndërmjet tyre prodhon rezultate që vështirë se mund të parashikohen.
Në vitin 1951, studiuesi Arnold Wolfers i krahasoi marrëdhëniet ndërkombëtare me një tavolinë bilardoje, ku shtetet përplasen me njëri-tjetrin në përpjekje për të maksimizuar fuqinë e tyre.
Sot, numri i aktorëve është shumë më i madh. Sistemi ndërkombëtar është shndërruar në një rrjet kompleks marrëdhëniesh, ku zhvillimet rajonale dhe globale ndikojnë vazhdimisht te njëra-tjetra.

Partneritetet e shumëfishta si strategji diplomatike
Koncepti që, sipas autorit, shpjegon më mirë sjelljen e shteteve në këtë sistem është ai i partneriteteve të shumëfishta (multialignment).
Në këtë model, shtetet e mëdha dhe të vogla vendosin interesat e tyre në qendër të vendimmarrjes, në vend që të pranojnë një pozicion të pandryshueshëm brenda një hierarkie ndërkombëtare.
Ato kërkojnë të ndërtojnë marrëdhënie me sa më shumë partnerë dhe në fusha të ndryshme, për aq kohë sa këto marrëdhënie u shërbejnë interesave kombëtare.
Në vitin 2006, kur autori prezantoi këtë koncept në një ese të përbashkët me C. Raja Mohan, ai po udhëtonte në 40 vende për të studiuar praktikat e tyre diplomatike.
Në atë periudhë, Uashingtoni vijonte të mbështetej në epërsinë e tij globale pas ndërhyrjeve ushtarake në Afganistan dhe Irak. Megjithatë, shumë shtete nuk pranonin logjikën e administratës së George W. Bushit, që kërkonte rreshtim të qartë përkrah ose kundër Shteteve të Bashkuara.
Ato zhvillonin paralelisht marrëdhënie me Evropën, Kinën, Rusinë dhe Indinë.
Në këtë kontekst, organizata si BRICS dhe Organizata e Bashkëpunimit të Shangait (SCO) fituan rëndësi në rritje.

Fundi i dominimit unipolar
Globalizimi, të cilin vetë Shtetet e Bashkuara e mbështetën, përshpejtoi zhvillimin ekonomik të fuqive në ngritje dhe u dha atyre mundësi më të mëdha për të negociuar marrëveshje në përputhje me interesat e tyre.
Gjatë Luftës së Ftohtë, vendet që kishin fituar pavarësinë nga fuqitë koloniale zotëronin ndikim të kufizuar ndërkombëtar.
Lëvizja e Vendeve të Paangazhuara, e cila zhvilloi konferencën e parë në Beograd në vitin 1961, synonte të promovonte solidaritetin ndërmjet këtyre vendeve dhe kundërshtimin e kolonializmit. Grupi i 77-ës koordinonte qëndrimet e tyre për tregtinë dhe lehtësimin e borxheve.
Fundi i Luftës së Ftohtë ndryshoi këtë dinamikë. Gjithnjë e më shumë shtete kërkuan të përcaktonin vetë orientimin e tyre strategjik, në vend që t’u nënshtroheshin interesave të fuqive të mëdha.
Transformimi aktual nuk përfaqëson vetëm kalimin nga një botë unipolare në një botë shumëpolare. Ai po krijon një sistem ku fuqia buron gjithnjë e më shumë nga marrëdhëniet, rrjetet dhe partneritetet që shtetet ndërtojnë sipas nevojave të tyre.
Aleancat nuk përjashtojnë më partneritetet me rivalët
Në vitin 1848, Lord Palmerston deklaroi në Dhomën e Komunave të Mbretërisë së Bashkuar: “Ne nuk kemi aleatë të përjetshëm dhe as armiq të përhershëm.”
Sot, shtetet po ndjekin këtë parim, duke diversifikuar partneritetet dhe duke përshtatur orientimin e tyre strategjik sipas interesave afatshkurtra dhe afatgjata.
Për disa vende, partneritetet e shumëfishta përbëjnë një çështje mbijetese.
Eksporti i teknologjisë izraelite të dronëve të zbulimit drejt Rusisë në fillim të viteve 2010 kontribuoi, sipas autorit, në zhvillimin e kapaciteteve sulmuese që Moska përdor kundër Ukrainës. Kjo e fundit konkurron me Izraelin për sigurimin e municioneve nga Shtetet e Bashkuara.
Ndërkohë, ndryshimi i opinionit publik amerikan ndaj mbështetjes së pakushtëzuar për luftën në Gaza ka nxitur Izraelin të zgjerojë bashkëpunimin me Gjermaninë, furnizuesin e tij të dytë më të madh me armë.
Një fabrikë e përshtatur e Volkswagenit prodhon komponentë për sistemin izraelit të mbrojtjes ajrore Iron Dome, ndërsa, sipas artikullit, Emiratet e Bashkuara Arabe ndihmojnë Izraelin në neutralizimin e raketave iraniane.
Turqia, India dhe vendet e Gjirit
Për disa shtete, diversifikimi i partneriteteve lidhet njëkohësisht me identitetin kombëtar dhe interesat ekonomike.
Turqia, megjithëse anëtare e NATO-s, mund të kërkojë anëtarësimin në Organizatën e Bashkëpunimit të Shangait. Banka Aziatike e Investimeve në Infrastrukturë ka mbështetur afro 50 projekte në Turqi, në sektorët e prodhimit, transportit dhe menaxhimit të ujërave.
Pozicioni gjeografik ndërmjet Evropës dhe Azisë i mundëson Ankarasë të synojë një rol përcaktues në korridoret energjetike Lindje–Perëndim.
Edhe vendet e Gjirit Persik kanë zhvilluar një diplomaci të mbështetur në partneritete të shumëfishta.

Arabia Saudite strehon baza ushtarake amerikane, ndërkohë që zgjeron marrëveshjet për blerjen e armëve nga Kina. Emiratet e Bashkuara Arabe ruajnë marrëdhënie të ngushta në fushën e mbrojtjes me Uashingtonin, por Kina përbën partnerin e tyre më të madh tregtar.
Të dyja vendet gëzojnë statusin e partnerit të dialogut në Organizatën e Bashkëpunimit të Shangait, ndërsa Emiratet janë gjithashtu anëtare të BRICS-it.
Artikulli argumenton se ato ndihmojnë edhe Rusinë të anashkalojë sanksionet, përfshirë nëpërmjet ndërmjetësimit të pagesave ndërmjet Rusisë dhe Indisë.
India përfaqëson një tjetër shembull të kësaj strategjie. Nju Delhi merr pjesë në Dialogun Katërpalësh të Sigurisë (Quad), së bashku me SHBA-në, Japoninë dhe Australinë, por njëkohësisht është anëtar i BRICS-it dhe i Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait.
Edhe superfuqitë diversifikojnë partneritetet
Strategjia e partneriteteve të shumëfishta nuk kufizohet më te fuqitë në zhvillim. Edhe superfuqitë po zbatojnë të njëjtën qasje.
Shtetet e Bashkuara kërkojnë që Evropa të marrë përsipër një pjesë më të madhe të përgjegjësisë për Ukrainën, ndërsa shqyrtojnë mundësi bashkëpunimi ekonomik me Rusinë në sektorin e burimeve natyrore.
Moska, nga ana e saj, sheh mundësi për të reduktuar varësinë afatgjatë nga Kina nëpërmjet marrëdhënieve me Uashingtonin.
Tarifat e administratës së presidentit amerikan Donald Trump ndaj Kanadasë kanë nxitur afrimin e Otavës me Bashkimin Evropian. Njëkohësisht, tarifat amerikane ndaj eksporteve indiane kanë përshpejtuar përpjekjet e BE-së për një marrëveshje të tregtisë së lirë me Indinë.
Kina po zgjeron investimet dhe sipërmarrjet e përbashkëta në tregjet evropiane, duke synuar të bindë qeveritë e kontinentit që të ruajnë tarifa më të ulëta se ato amerikane.
Pekini kërkon gjithashtu të mbajë marrëdhënie bashkëpunimi me shtete që rivalizojnë njëra-tjetrën, si Arabia Saudite dhe Irani, India dhe Pakistani, apo Kazakistani dhe Uzbekistani.
Vetë Shtetet e Bashkuara kanë kontribuar në krijimin e rrjeteve të reja diplomatike dhe ekonomike që mundësojnë këtë formë bashkëpunimi.
Administrata e Joe Bidenit krijoi Kornizën Ekonomike të Indo-Paqësorit dhe organizoi në vitin 2021 samitin e parë të udhëheqësve të Quad-it.
Administrata e Trumpit ka ndërmarrë nismën Pax Silica për koordinimin e zinxhirëve të furnizimit me gjysmëpërçues, si dhe nismën “Mine to Magnet” për diversifikimin e nxjerrjes, përpunimit dhe shpërndarjes së mineraleve kritike.
Fuqitë e mesme nuk pranojnë ndarjen në blloqe
Analistët kanë parashikuar vazhdimisht se konfliktet në Ukrainë dhe Iran do t’i detyrojnë fuqitë e mesme të zgjedhin njërën palë.
Megjithatë, shumë prej këtyre vendeve vazhdojnë të ruajnë marrëdhënie me aktorë rivalë, duke përdorur partneritetet e shumëfishta për të rritur fuqinë e tyre negociuese ndaj superfuqive.
Sipas autorit, kjo strategji sfidon tezën e një Lufte të re të Ftohtë ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Kinës.
Uashingtoni dhe Pekini nuk mund ta ndajnë botën në zona ndikimi nëse shtetet e tjera refuzojnë të pranojnë një ndarje të tillë.
Partneritetet e shumëfishta u japin këtyre vendeve mundësinë të kërkojnë alternativa kur marrëveshjet tregtare, financiare apo politike me njërën superfuqi nuk u shërbejnë më interesave të tyre.
Konkurrenca për burimet strategjike
Një dekadë më parë, shumë analiza e përshkruanin Afrikën si një kontinent nën ndikimin ekonomik në rritje të Kinës.
Sot, Korporata Amerikane e Financimit të Zhvillimit Ndërkombëtar (DFC) ka ndihmuar në sigurimin e mbështetjes financiare prej më shumë se katër miliardë dollarësh për Korridorin e Lobitos, që përshkon Angolën, Republikën Demokratike të Kongos dhe Zambian.
Projekti synon të mundësojë nxjerrjen dhe përpunimin e mineraleve kritike përmes zinxhirëve të furnizimit që nuk varen nga Kina.
Edhe Pakistani, një prej partnerëve më të qëndrueshëm të Pekinit, ka siguruar kredi nga Banka Amerikane e Eksport-Importit për të përshpejtuar prodhimin dhe eksportin e mineraleve kritike drejt SHBA-së.
Islamabadi kërkon financime të tjera amerikane për blerjen e mundshme të avionëve Boeing dhe modernizimin e rafinerive të naftës.
Këto zhvillime ilustrojnë se marrëdhëniet strategjike me një fuqi të madhe nuk përjashtojnë domosdoshmërisht bashkëpunimin me rivalët e saj.

Një rend ndërkombëtar që zhvillohet nga poshtë-lart
Partneritetet e shumëfishta u mundësojnë shteteve të bashkëpunojnë edhe pa drejtimin e një superfuqie.
Organizatat rajonale, si Shoqata e Kombeve të Azisë Juglindore (ASEAN), Këshilli i Bashkëpunimit të Gjirit (GCC) dhe Mercosur, synojnë të reduktojnë barrierat e brendshme dhe të shfrytëzojnë avantazhet plotësuese të ekonomive anëtare.
Në këtë mënyrë, vendet pjesëmarrëse reduktojnë varësinë nga superfuqitë dhe rrisin ndikimin e tyre ndërkombëtar.
Bashkëpunimi ndërrajonal në fushën e mbrojtjes ndërmjet Ukrainës, Turqisë dhe vendeve të Gjirit, si dhe partneriteti për sigurinë ushqimore dhe energjetike ndërmjet GCC-së dhe ASEAN-it, tregojnë se shtetet mund të ndërtojnë marrëdhënie funksionale pa mbështetjen e drejtpërdrejtë të një fuqie të madhe.
Ndërsa shumë analistë shprehin shqetësim për dobësimin e rendit ndërkombëtar liberal dhe rikthimin e politikës së interesave kombëtare, autori evidenton krijimin e rrjeteve të reja strategjike që po zëvendësojnë format tradicionale të bashkëpunimit shumëpalësh.
Sipas kësaj teze, partneritetet e shumëfishta mundësojnë zhvillimin e gjeopolitikës nga poshtë-lart, përmes iniciativave të vetë shteteve dhe jo vetëm përmes vendimeve të superfuqive.
Paparashikueshmëria e marrëdhënieve ndërkombëtare nuk përbën, në këtë interpretim, një defekt të sistemit të ri, por një karakteristikë themelore të funksionimit të tij. /Përshtati Pamfleti nga ForeignPolicy