Pas tetë vitesh qeverisjeje të socialistëve të Pedro Sanchez, zgjedhjet parlamentare në Spanjë i hapin rrugën ndryshimit të pushtetit. Partia Popullore e qendrës së djathtë ka fituar zgjedhjet, ndërsa lideri i saj, Alberto Nunez Feijoo, mund të formojë qeverinë me mbështetjen e së djathtës ekstreme Vox, raporton gazeta spanjolle “El Pais”.

Me 87% të votave të numëruara, Partia Popullore ka marrë 32.4% të votave dhe 132 mandate, pesë më pak se në zgjedhjet e vitit 2023. Socialistët e Sanchez renditen të dytët me 29% të votave dhe 116 mandate.

Rritje të ndjeshme ka shënuar e djathta ekstreme Vox, e drejtuar nga Santiago Abascal, e cila nga 33 deputetë në zgjedhjet e kaluara ka arritur në 53.

Partia Popullore dhe Vox kanë së bashku 185 mandate, nëntë më shumë se shumica absolute prej 176 deputetësh. Me dy mandatet e partisë rajonale UPN, e djathta arrin në 187 deputetë.

Ndërkohë, koalicioni i majtë Frente Amplio ka siguruar 10 mandate, ndërsa partia e majtë Podemos humbet përfaqësimin në Parlament.

Rezultatet janë pritur me festime përpara selisë së opozitës në Madrid, ku mbështetësit kanë brohoritur në mbështetje të Feijoo dhe kundër kryeministrit Sanchez.

Ky i fundit mbërriti në selinë e Partisë Socialiste në orën 22:30, pasi kishte ndjekur numërimin e votave nga rezidenca qeveritare. Në momentin e mbërritjes së tij, rezultatet tregonin tashmë humbjen e socialistëve dhe shumicën e së djathtës në Parlament.

Ndër të parat që ka uruar liderët e së djathtës spanjolle ka qenë kryeministrja italiane Giorgia Meloni.

“Urime miqve Alberto Nunez Feijoo dhe Santiago Abascal për rezultatin zgjedhor të arritur nga e djathta në Spanjë. Pjesëmarrja rekord e sotme është një sinjal i mirë për të gjithë Europën”, shkroi Meloni në rrjetin social X, duke shprehur gatishmërinë për të bashkëpunuar.

E djathta kryeson edhe në zgjedhjet për Senatin. Me rreth 10% të votave të numëruara, Partia Popullore dhe Vox arrijnë së bashku në 142 senatorë, duke përfshirë edhe ata të emëruar nga rajonet, ndërsa për shumicën absolute nevojiten 134.

Zgjedhjet në Spanjë u shoqëruan me një pjesëmarrje që i afrohet 80%, më e larta në 40 vitet e fundit.

Spanjollët votuan për të zgjedhur 350 deputetë dhe 209 senatorë. Për formimin e qeverisë së re, vendimtare është përbërja e dhomës së ulët të Parlamentit.

Zgjedhjet e parakohshme u thirrën pasi Sanchez shpërndau Parlamentin më 5 tetor, pas rrëzimit të dy dekreteve për strehimin. Kriza e strehimit, protestat, kriza e emigracionit në Ceuta dhe akuzat për korrupsion ndaj disa drejtuesve socialistë kishin shtuar pakënaqësitë ndaj qeverisë.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 22:26
Sanchez humbet terren në zgjedhje, tensione pranë selisë së socialistëve në Madrid! Kryeministri spanjoll shahet nga nëna, ndërhyn policia

Image

Teksa socialistët e Pedro Sanchez mbeten pas në numërimin e votave, tensione janë shënuar përpara selisë së partisë në pushtet në Madrid. Dy persona me flamuj spanjollë kanë nisur të shajnë nga nëna kryeministrin dhe të thërrasin “Rroftë Spanja!”.

Thirrjet kanë shkaktuar reagimin e mbështetësve të Sanchez, të cilët u janë afruar dy burrave. Policia ka ndërhyrë duke i larguar këta të fundit për të shmangur sherrin.

Ora 22:17
Sanchez drejt humbjes së pushtetit? Numërohen 65% e votave në Spanjë, opozitës i mjafton mbështetja e së djathtës ekstreme për të qeverisur

Me 65.12% të votave të numëruara në Spanjë, Partia Popullore e qendrës së djathtë kryeson me 134 mandate, ndërsa socialistët e kryeministrit Pedro Sanchez kanë 117. E djathta ekstreme Vox ka arritur në 50 mandate, 17 më shumë se në zgjedhjet e vitit 2023. Sipas rezultateve të deritanishme, kandidatit të opozitës për kryeministër, Alberto Nunez Feijoo, i mjafton vetëm mbështetja e Vox për të formuar qeverinë, pasi së bashku kanë 184 deputetë, ndërsa për shumicën absolute nevojiten 176. Me dy mandatet e partisë rajonale UPN, e djathta arrin në 186 deputetë. Nëse këto rezultate konfirmohen, Sanchez mund të humbasë pushtetin pas tetë vitesh, ndërsa Vox do të ketë një rol vendimtar në formimin e qeverisë së re.

Rezultatet me 65.12% të votave të numëruara:

  • Partia Popullore (qendra e djathtë): 134 mandate

  • Partia Socialiste: 117 mandate

  • Vox (e djathta ekstreme): 50 mandate

  • ERC: 11 mandate

  • Frente Amplio: 10 mandate

  • EH Bildu: 7 mandate

  • Junts: 5 mandate

  • Adelante Andalucia: 4 mandate

  • PNV: 3 mandate

  • Compromis: 3 mandate

  • BNG: 2 mandate

  • UPN: 2 mandate

  • Koalicioni i Ishujve Kanarie: 2 mandate

  • Podemos: 0 mandate

Ora 22:06
Zgjedhjet në Spanjë/ Numërohen gjysma e votave, e djathta thellon avantazhin ndaj socialistëve të Sanchez

Me 50% të votave të numëruara, Partia Popullore e qendrës së djathtë kryeson me 133 mandate, ndërsa socialistët e kryeministrit Pedro Sanchez kanë 118. E djathta ekstreme Vox ka arritur në 50 mandate.

Së bashku me dy mandatet e partisë rajonale UPN, e djathta numëron 185 deputetë, nëntë më shumë se shumica absolute e nevojshme për të formuar qeverinë. Ndërkohë, koalicioni i majtë Frente Amplio ka 10 mandate, ndërsa partia e majtë Podemos mbetet pa asnjë deputet sipas rezultateve të deritanishme.

Ora 21:44
'Do ta dëbojmë qenin', shtohen thirrjet kundër Sanchez para selisë së opozitës së djathtë në Madrid

Duartrokitje dhe brohoritje kanë shpërthyer në selinë e opozitës së djathtë në Madrid, sapo rezultatet paraprake treguan se Partia Popullore dhe e djathta ekstreme Vox arrinin së bashku shumicën absolute. “Do ta dëbojmë qenin!”, ka bërtitur një prej mbështetësve, duke iu referuar kryeministrit socialist Pedro Sanchez. Të tjerët kanë nisur të brohorasin në kor që kandidati i opozitës, Alberto Nunez Feijoo, të marrë drejtimin e qeverisë. “Rroftë Spanja!”, dëgjohet gjithashtu në selinë e opozitës, ndërsa numërimi i votave vijon.

Ora 21:20
Zgjedhjet në Spanjë/ Numërohen 10% e votave, opozita e djathtë kryeson me 127 mandate, socialistët e Sanchez me 113

Me 10% të votave të numëruara në Spanjë, Partia Popullore e qendrës së djathtë kryeson me 127 mandate, ndërsa socialistët e kryeministrit Pedro Sanchez sigurojnë 113. E djathta ekstreme, Vox, merr 47 mandate, ndërsa koalicioni i majtë Frente Amplio 10.

Sipas këtyre rezultateve paraprake, Partisë Popullore dhe Vox së bashku u mungojnë vetëm dy mandate për të arritur shumicën absolute prej 176 deputetësh në Parlamentin me 350 vende. Megjithatë, përqindja e votave të numëruara është ende shumë e ulët për të nxjerrë përfundime mbi rezultatin e zgjedhjeve.

Ora 21:01
Votuan dhe u nisën drejt Madridit, mbështetësit e opozitës spanjolle presin rezultatet: Kjo ndodh një herë në jetë!

Me dhjetëra mbështetës të opozitës së djathtë në Spanjë po mblidhen përpara selisë së Partisë Popullore në Madrid, mes tyre edhe qytetarë të ardhur nga zona të tjera të vendit.

Kevin Rodriguez, 31 vjeç, nga Tenerife, ka votuar përpara se të merrte avionin drejt kryeqytetit, pasi nuk i beson votimit me postë. 

Me një kapele me sloganin “Ta bëjmë Spanjën sërish të madhe”, i riu thotë: “Kjo ndodh një herë në jetë”.

Edhe 63-vjeçari Manuel Martinez ka votuar në orën 09:00 dhe më pas është nisur drejt Madridit, ku po ndjek numërimin e votave nga celulari.

Ndërkohë, nga makinat që kalojnë pranë selisë dëgjohen herë pas here thirrje në mbështetje të opozitës, por edhe ofendime ndaj saj.

Ora 20:41
Socialistët në Spanjë: Jemi në një situatë që nuk e kishte parashikuar askush

Socialistët e kryeministrit Pedro Sanchez po tregohen të kujdesshëm në pritje të rezultateve të zgjedhjeve, pavarësisht optimizmit për pjesëmarrjen rekord në votime.

Burime nga drejtuesit e Partisë Socialiste thanë për “El Pais” se pjesëmarrja prej 68% deri në orën 18:00 e bën të vështirë parashikimin e rezultatit.

“Një pjesëmarrje kaq e lartë përmbys çdo sondazh. Jemi në një situatë që askush nuk e kishte parashikuar”, thanë ata, duke shmangur komentet se kush do të qeverisë Spanjën. “Për ne ishte e rëndësishme që pjesëmarrja të ishte e lartë, por duhet të jemi të kujdesshëm”, shtuan drejtuesit socialistë.

Ndërkohë, në selinë e partisë në Madrid janë akredituar 300 gazetarë dhe 20 media ndërkombëtare.

Ora 20:38
Merr karrigen nga shtëpia dhe 'ngulet' para selisë së opozitës në Madrid, 83-vjeçarja spanjolle pret rezultatet e zgjedhjeve

Në moshën 83-vjeçare, Karmen Kanjas ka marrë karrigen nga shtëpia dhe ka udhëtuar me autobus për të pritur rezultatet e zgjedhjeve përpara selisë së opozitës së djathtë në Madrid. “Gjithmonë kam qenë me Partinë Popullore”, tregon e moshuara për gazetën spanjolle “El Pais”. Ajo ka zënë vend në radhën e parë, përballë ekranit të madh ku do të shfaqen rezultatet. Ndërkohë, gjithnjë e më shumë mbështetës po mblidhen përpara selisë së opozitës, disa me birra në duar e të tjerë me flamuj të Spanjës.

Ora 20:18
Zgjedhjet në Spanjë/ Sondazhi: Opozita e djathtë kryeson në 13 nga 17 rajone, edhe në Ceutën e goditur nga kriza e emigracionit

Sipas sondazhit të televizionit publik spanjoll, opozita e qendrës së djathtë kryeson në 13 nga 17 rajonet e Spanjës, si dhe në Ceuta dhe Melija, dy qytetet autonome spanjolle në veri të Afrikës.

Ishte pikërisht kriza e emigracionit në Ceuta një nga problemet që shtuan pakënaqësinë ndaj qeverisë së Pedro Sanchez-it përpara zgjedhjeve të parakohshme. Socialistët kryesojnë vetëm në tre rajone, mes tyre Katalonja, ku ndodhet Barcelona, dhe Ishujt Kanarie, ndërsa në Baskoni kryeson një koalicion i majtë rajonal.

Ora 19:55
Spanja zgjedh qeverinë e re/ Çfarë ndodh pas mbylljes së kutive dhe cilat vota numërohen të parat?

Ndryshe nga Shqipëria, parlamenti spanjoll përbëhet nga dy dhoma, Kongresi i Deputetëve dhe Senati. Spanjollët votuan këtë të diel për të zgjedhur 350 deputetë dhe 209 senatorë. Me mbylljen e qendrave të votimit, të parat do të numërohen votat për Kongresin, ku vendoset edhe se kush do të drejtojë qeverinë e re. Për të siguruar shumicën absolute në këtë dhomë nevojiten 176 mandate. Më pas do të numërohen votat për Senatin, dhomën e lartë të parlamentit spanjoll.

Numërimi do të zhvillohet në prani të përfaqësuesve të partive. Kryetari i çdo komisioni zgjedhor do të nxjerrë një nga një zarfet nga kutia, do të lexojë me zë të lartë emrin e subjektit për të cilin është votuar dhe do t’ua tregojë fletën e votimit anëtarëve të komisionit dhe përfaqësuesve të partive.

Në përfundim të numërimit do të verifikohet nëse numri i zarfeve përputhet me numrin e qytetarëve që kanë votuar. Pas shqyrtimit të kundërshtimeve të mundshme, çdo komision do të bëjë publike rezultatet, duke specifikuar numrin e votave të pavlefshme, të fletëve të bardha dhe të votave të marra nga secila parti apo kandidat. Rezultatet do të pasqyrohen në një procesverbal, një kopje e të cilit do t’u dorëzohet përfaqësuesve të administratës dhe përfaqësuesve të subjekteve zgjedhore që e kërkojnë.

Ora 19:41
Zgjedhjet në Spanjë/ Madridi dhe Valencia me pjesëmarrjen më të lartë, më pak votues në Ishujt Kanarie

Madridi dhe Valencia janë dy rajonet e Spanjës ku është shënuar pjesëmarrja më e lartë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të kësaj të diele. Deri në orën 18:00, në rajonin e kryeqytetit spanjoll kishin votuar 72,7% e zgjedhësve, ndërsa në Valencia 71,2%. Sipas El Pais, pjesëmarrja ka kaluar 70% edhe në tre rajone të tjera, Kantabria, La Rioja dhe Kastija-La Mancha. Në Katalonjë kanë votuar 66,6% e zgjedhësve, ndërsa në Ishujt Kanarie pjesëmarrja ka qenë më e ulët, me 57,6%. Krahasuar me zgjedhjet e vitit 2023, pjesëmarrja në Madrid është rritur me 19 pikë përqindjeje.

Ora 19:19
Zgjedhjet në Spanjë/ Bastet online i japin 92% shanse kreut të opozitës për t’u bërë kryeministër, vetëm 9% Sanchez-it

Platforma e basteve online Polymarket e nxjerr kreun e Partisë Popullore, Alberto Nunez Feijoo, si favorit për të drejtuar qeverinë e ardhshme të Spanjës, duke i dhënë 92% mundësi për t’u bërë kryeministër, ndërsa rizgjedhjes së Pedro Sanchez vetëm 9%.

Vlera e basteve për kryeministrin e ardhshëm ka arritur në 9 milionë dollarë. Në një tjetër bast, me një volum prej 2 milionë dollarësh, Partisë Popullore i jepen 80% mundësi për të fituar zgjedhjet. Megjithatë, besueshmëria e këtyre parashikimeve mbetet e diskutueshme. Në maj, Ministria e Konsumit në Spanjë urdhëroi bllokimin e platformës Polymarket, pasi operonte pa licencë për lojërat e fatit.

Ora 19:15
Zgjedhjet në Spanjë/ Socialistët e Sanchez-it të kënaqur me pjesëmarrjen rekord, por tregohen të rezervuar për rezultatin

Partia Socialiste e kryeministrit Pedro Sanchez po e pret me 'kënaqësi' pjesëmarrjen rekord në zgjedhje, por drejtuesit e saj tregohen të rezervuar për ndikimin që mund të ketë në rezultat, raporton El Pais. Gjatë fushatës, Sanchez nguli këmbë se pjesëmarrja duhej të arrinte në 75% që koalicioni qeverisës progresist të kishte mundësi të siguronte një mandat tjetër. Kryeministri bëriu thirrje për një mobilizim “epik dhe historik” për të penguar formimin e një qeverie të përbashkët mes Partisë Popullore dhe ekstremit të djathtë Vox. Sanchez pritet ta ndjekë numërimin e votave nga Pallati Moncloa dhe të shkojë në selinë e Partisë Socialiste kur rezultati të jetë i më qartë.

Ora 19:03
Pjesëmarrje rekord në zgjedhjet në Spanjë, opozita e djathtë: Ose sondazhet gabojnë, ose ne do të qeverisim

Partia Popullore, forca kryesore opozitare në Spanjë, ka akuzuar socialistët e kryeministrit Pedro Sanchez se po përdorin sondazhe të manipuluara për të ndikuar te zgjedhësit në orët e fundit të votimit.

“Realiteti është se ose sondazhet gabojnë, ose Partia Popullore do të qeverisë. Për momentin po e ndjekim me qetësi ecurinë e ditës zgjedhore”, thanë burime nga drejtuesit e partisë për El Pais. Partia Popullore nuk ka dhënë një vlerësim nëse pjesëmarrja rekord në votime e favorizon apo e dëmton atë, duke theksuar se pjesëmarrja e qytetarëve është gjithmonë pozitive.

Ora 19:01
Zgjedhjet në Spanjë/ Pjesëmarrje rekord, deri në orën 18:00 kanë votuar 68,1% e spanjollëve! 15 pikë përqindjeje më shumë se në 2023

Spanja shënon një rekord historik të pjesëmarrjes në zgjedhjet parlamentare. Sipas të dhënave të Ministrisë së Brendshme, deri në orën 18:00 kanë votuar 24.294.880 qytetarë, ose 68,1% e zgjedhësve, 15 pikë përqindjeje më shumë se në zgjedhjet e vitit 2023, kur në të njëjtën orë kishin votuar 53,1%. Pjesëmarrja ka tejkaluar edhe rekordin e marsit të vitit 1996, kur deri në orën 18:00 kishin votuar 63,45% e zgjedhësve, raporton El Pais.

Ora 17:43
Zgjedhjet në Spanjë/ Pjesëmarrja në votime 5 pikë përqindjeje më e lartë se në 2023! Sanchez: Mobilizim historik! Kreu i së djathtës ekstreme: Votoni që të mos pendoheni nesër

Pjesëmarrja në zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Spanjë ka arritur në 45,54% deri në orën 14:00, 5 pikë përqindjeje më shumë se në zgjedhjet e vitit 2023, sipas të dhënave të Ministrisë së Brendshme.

Kryeministri socialist Pedro Sanchez, pasi votoi në Madrid, u shpreh optimist dhe tha se pret një nga pjesëmarrjet më të larta në historinë demokratike të vendit.

“Shoh një mobilizim historik dhe për këtë arsye kam një ndjesi të mirë. Sot është dita kur vendi ynë, Spanja, vendos se çfarë të ardhmeje dëshiron për katër vitet e ardhshme. Në demokraci ka shumë pushtete, por më i madhi është vota”, deklaroi Sanchez.

Sipas kryeministrit, sa më e lartë të jetë pjesëmarrja, aq më mirë do të përfaqësohet vullneti i qytetarëve në parlamentin e ardhshëm.

Ndërkohë, kreu i Partisë Popullore, forcës kryesore opozitare, Alberto Nunez Feijoo, u bëri thirrje spanjollëve që të mos votojnë nga frika, por duke mbajtur parasysh të shkuarën.

“Sot është dita kur spanjollët marrin timonin në dorë dhe vendosin për të ardhmen, fatin dhe drejtimin e Spanjës, jo vetëm për katër vitet e ardhshme, por ndoshta për dekadën e ardhshme. Në varësi të rezultateve zgjedhore, mund të ketë një para dhe një pas në politikën spanjolle”, tha Feijoo.

Kreu i partisë së ekstremit të djathtë Vox, Santiago Abascal, votoi në orën 11:30 në lagjen Hortaleza të Madridit, nga ku u bëri thirrje qytetarëve të marrin pjesë masivisht në zgjedhje.

“Shkoni të votoni që të mos pendoheni nesër. Drejtojuni kutive të votimit me gjithë guximin dhe shpresën që meriton Spanja”, tha Abascal.

Ai iu drejtua veçanërisht qytetarëve që zakonisht nuk votojnë, duke u kërkuar të marrin pjesë në zgjedhje që askush të mos votojë në vend të tyre. Kreu i Vox-it shprehu gjithashtu besimin se dita zgjedhore do të kalojë pa dhunë dhe incidente.

Nga ana tjetër, ish-kryebashkiakja e Barcelonës dhe kandidatja e koalicionit të majtë Frente Amplio, Ada Colau, votoi në lagjen Gracia të Barcelonës, ku theksoi rolin e grave në këto zgjedhje.

“Ne gratë jo vetëm që nuk do të heshtim, por do të jemi protagoniste dhe do të kemi një rol vendimtar në rezultatin e këtyre zgjedhjeve”, deklaroi Colau.

Ajo akuzoi disa forca politike se gjatë fushatës zgjedhore kanë nxitur urrejtjen dhe përplasjet, ndërsa të tjera janë përpjekur të mobilizojnë votuesit përmes frikës.

Për herë të parë në zgjedhje, spanjollët mund të identifikohen edhe përmes aplikacionit MiDNI në telefon, i cili gjeneron një kod QR të përkohshëm që skanohet në qendrat e votimit.

Rreth orës 22:30, zëdhënësja e qeverisë, Elma Saiz, dhe ministri i Brendshëm, Fernando Grande-Marlaska, do të dalin në një konferencë për shtyp për të dhënë informacionet e para mbi rezultatet zgjedhore.