Banorët e Hasit deri në 24 orë pa rrymë, reagon Bajrami: Stop diskriminimit të dyfishtë
Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami ka reaguar pas ndërprerjeve të energjisë elektrike në disa zona të Kosovës.
Në një shkrim në Facebook, ajo ka thënë se banorët e Hasit janë duke u përballur me mungesë të rrymës deri në 24 orë.
“STOP diskriminimit të dyfishtë! Në kohën kur Kosova importon energji elektrike, banorët e fshatrave të Hasit po përballen me ndërprerje të rrymës deri në 24 orë. Këta qytetarë po diskriminohen dyfish: Njëherë, duke i lënë pa energji elektrike, e pastaj duke ua ngarkuar përmes tarifave edhe koston e importit të energjisë që e shpenzojmë ne që s’kemi reduktime.”, ka shkruar Bajrami.
Ajo ka rikthyer edhe njëherë deklaratën e kryeministrit Albin Kurti për jetesën më të mirë në Republikë, sesa në komuna.
“Kurti pat deklaru se ”në Kosovë jetohet më mirë si qytetar i Republikës sesa si banor i komunës”, por ai e di mirë se banorët e Hasit po kalojnë 24 orë pa rrymë pikërisht se janë qytetarë të Republikës që ai e udhëheqë që gjashtë vjet. Pra, ta dimë ku jemi: furnizimi me energji është përgjegjësi e nivelit qendror dhe e operatorëve në këtë sektor jo e komunave”, ka shkruar Bajrami në Facebook.















