Përfaqësues të grupimit të Revolucionit Studentor, së bashku me studentë, qytetarë, aktivistë dhe profesionistë që mbështesin protestën, kanë denoncuar dhunën e ushtruar nga Policia e Shtetit ndaj protestuesve paqësorë, duke kërkuar hetim të menjëhershëm dhe vënien e përgjegjësve përpara drejtësisë.
Në një deklaratë për shtyp të mbajtur më 29 nëntor, në Spitalin e Traumës, ata shprehën shqetësimin për atë që e cilësuan dhunë joproporcionale dhe represive, e cila, sipas tyre, është intensifikuar që prej 13 tetorit dhe ka arritur kulmin gjatë protestave të 28 dhe 29 nëntorit.
Studentët thanë se janë mbledhur në spital për të sensibilizuar qytetarët mbi gjendjen e protestuesve të lënduar, disa prej të cilëve ndodhen në gjendje të rëndë shëndetësore.
Në deklaratë përmenden disa prej personave të lënduar, mes tyre qytetarë, studentë, deputetë, gazetarë dhe fotoreporterë.
Sipas tyre, këto janë vetëm disa nga rastet e raportuara në media, ndërsa në Spitalin e Traumës ndodhen edhe shumë të tjerë, emrat e të cilëve nuk janë bërë publikë.
“Pas tyre qëndrojnë qindra histori të tjera, qindra qytetarë të lënduar, familje të shqetësuara dhe njerëz që sot po përballen me pasojat e një dhune që kërkon përgjigje”, thuhet në deklaratë.
Studentët denoncuan përdorimin e gazit lotsjellës, sprajit me piper, shkopinjve të gomës, plumbave të gomës, dronëve që hedhin gaz dhe predhave me impakt kinetik.
Sipas tyre, këto mjete, kur përdoren në mënyrë joproporcionale ndaj protestuesve, përbëjnë një kërcënim për jetën dhe sigurinë e qytetarëve.
Ata ngritën gjithashtu shqetësimin për arrestimet e të rinjve që prej fillimit të protestës, duke pretenduar se në shumë raste rrethanat e ndalimeve nuk janë sqaruar, ndërsa ende nuk është vendosur përgjegjësi penale për dhunën e ushtruar nga efektivë të policisë.
Në deklaratë kërkohet që Prokuroria të nisë menjëherë hetime penale për përdorimin e forcës, duke përfshirë jo vetëm efektivët që kanë vepruar në terren, por edhe drejtuesit që kanë dhënë urdhra apo kanë mbikëqyrur operacionet.
Gjithashtu, kërkohet ruajtja e të gjitha provave, përfshirë pamjet filmike, komunikimet operative, urdhrat dhe dokumentacionin zyrtar.
Studentët kërkojnë edhe përgjegjësi politike dhe institucionale nga Ministri i Brendshëm, si dhe angazhim nga Avokati i Popullit, AMP-ja dhe organizatat për të drejtat e njeriut për të hetuar, dokumentuar dhe bërë publike gjetjet mbi rastet e abuzimit.
Një tjetër kërkesë i drejtohet Ministres së Shëndetësisë, Klodiana Spahiu, për të bërë publike një bilanc të verifikuar të të lënduarve, gjendjes së tyre shëndetësore dhe rrethanave të trajtimit, duke respektuar të dhënat personale. Studentët kërkojnë të sqarojnë edhe arsyen pse këto raste, sipas tyre, nuk janë përfshirë në raportimet zyrtare të Ministrisë së Shëndetësisë.
“Ne zotohemi se protestat do të vazhdojnë dhe se gjaku i shqiptarëve, i derdhur në Ditën e Flamurit, nuk do të harrohet! Asnjë plagë nuk do të relativizohet, asnjë padrejtësi nuk do të normalizohet dhe asnjë përgjegjësi nuk do të lihet pa u kërkuar”, theksojnë përfaqësuesit e grupimit.
Në fund, ata u bëjnë thirrje gazetarëve dhe profesionistëve të medias që të raportojnë mbi ngjarjet dhe të mos lejojnë që dhuna ndaj qytetarëve të mbetet pa zë. Sipas tyre, protesta nuk i shërben asnjë partie politike, por qytetarëve dhe kërkesës për drejtësi.
“Një popull që kërkon liri nuk mund të nënshtrohet me dhunë!”, përfundon deklarata.
Deklarata e plotë.
Ne, përfaqësues të grupimit të Revolucionit Studentor, së bashku me studentë, qytetarë, aktivistë e profesionistë mbështetës të protestës, shprehim sot shqetësimin tonë të thellë për dhunën pa kriter, joproporcionale dhe represive të ushtruar nga Policia e Shtetit kundrejt protestuesve paqësorë, si dhe për rritjen e saj të vazhdueshme që prej 13 tetorit, e cila arriti kulmin në 28-29 Nëntor.
Jemi mbledhur në Spitalin e Traumës, përballë dhimbjes njerëzore, përballë plagëve që nuk mund të fshihen me propagandë dhe përballë qytetarëve që sot ndodhen në shtretërit e spitalit, vetëm sepse kanë zgjedhur të ushtrojnë të drejtën e tyre për të protestuar. Sot jemi këtu për të ndërgjegjësuar qytetarët shqiptarë për qindra rastet e protestuesve të lënduar gjatë manifestimeve të ditëve të fundit, disa prej tyre në gjendje shumë të rëndë shëndetësore!
Mes tyre janë:
B.T., 34 vjeç, në gjendje të rëndë;
O.H., në gjendje të rëndë;
S.D., 38 vjeç;
T.A., gazetar;
E.G.;
I.X.;
K.H., deputet;
L.S.;
L.K., gazetar;
E.K., deputet;
F.B., fotoreporter;
E.B., gazetar;
A.M., gazetar;
S.P.;
L.Ç.;
E.D., gazetar;
M.K., gazetar;
D.G., student;
E.Ç., diasporë;
A.S., qytetar.
Këto janë vetëm disa prej rasteve të raportuara edhe nga mediat. Në Spitalin e Traumës ndodhen qindra viktima të tjera të dhunës policore, emrat e të cilëve nuk janë bërë publikë. Pas tyre qëndrojnë qindra histori të tjera, qindra qytetarë të lënduar, familje të shqetësuara dhe njerëz që sot po përballen me pasojat e një dhune që kërkon përgjigje!
Ndaj protestuesve është përdorur gaz lotsjellës me karakteristika ushtarake, spraj me piper, shkopinj gome, plumba gome, dronë gaz-hedhës, si edhe predha me impakt kinetik. Këto nuk janë mjete për të garantuar sigurinë e qytetarëve! Janë mjete që, kur përdoren në mënyrë joproporcionale ndaj njerëzve që protestojnë, kthehen në instrumente që dhunojnë dhe kërcënojnë jetën e tyre!
Që prej fillimit të kësaj proteste, shumë të rinj janë arrestuar, në shumicën dërrmuese të rasteve në rrethana që nuk janë sqaruar, ndërsa ende nuk kemi një përgjegjësi penale të vendosur për dhunën e ushtruar nga efektivë të Policisë së Shtetit. Kjo nuk mund të vazhdojë kështu!
Kërkojmë sot të merren urgjentisht masa për dhunën policore të ushtruar ndaj protestuesve paqësorë. Kërkojmë hetim të menjëhershëm, të paanshëm dhe transparent për çdo rast dhune policore, identifikimin e përgjegjësve dhe vënien e tyre përpara drejtësisë. Uniforma e shtetit nuk mund të jetë mburojë për paligjshmërinë.
Sot kërkojmë që:
- Prokuroria të nisë menjëherë hetimin penal për përdorimin e forcës, duke hetuar si efektivët e policisë, ashtu edhe drejtuesit që kanë dhënë urdhra ose kanë mbikëqyrur operacionet.
- Të ruhen dhe të vihen në dispozicion të hetimit të gjitha provat, përfshirë pamjet filmike, komunikimet operative, urdhrat dhe dokumentacionin zyrtar.
- Ministri i Brendshëm të mbajë përgjegjësi politike dhe institucionale, duke dhënë llogari për mënyrën e organizimit dhe drejtimit të operacioneve.
- Avokati i Popullit, AMP-ja dhe organizatat për të drejtat e njeriut të hetojnë, dokumentojnë dhe bëjnë publike gjetjet për çdo rast abuzimi, duke respektuar ligjin.
Askush nuk është mbi ligjin dhe askush nuk mund të dhunojë qytetarët pa dhënë llogari!
Gjithashtu, i kërkojmë Ministres së Shëndetësisë, Klodiana Spahiu, e cila më 13 tetor u kujdes të publikonte video nga spitalet, të vijë sërish, këtë herë jo për propagandë, por për të parë dhe raportuar realitetin! Kërkojmë llogaridhënie: sa qytetarë janë dëmtuar, në çfarë gjendjeje ndodhen dhe pse këto raste nuk janë bërë pjesë e raportimit publik edhe zyrtar të Ministrisë së Shëndetësisë. Kërkojmë një bilanc të verifikuar që mbron të dhënat personale të të lënduarve.
Ne zotohemi se protestat do të vazhdojnë dhe se gjaku i shqiptarëve, i derdhur në Ditën e Flamurit, nuk do të harrohet! Asnjë plagë nuk do të relativizohet, asnjë padrejtësi nuk do të normalizohet dhe asnjë përgjegjësi nuk do të lihet pa u kërkuar.
U bëjmë gjithashtu thirrje të gjithë gazetarëve dhe profesionistëve të medias, misionin e të cilëve e ndjejmë po aq sa ata vetë, të jenë aleatë tanë të së vërtetës, bashkë me ne, në shesh! Mos lejoni që e vërteta të mbetet pa zë. Ju lutemi të mos lejoni që plagët e qytetarëve të fshihen, që dhuna të relativizohet dhe që përgjegjësia të humbasë mes propagandës.
Përfaqësuesit e shtetit shqiptar duhet ta kuptojnë se nga dhuna e ushtruar ndaj studentëve dhe qytetarëve protestues, ka ndryshuar gjithçka përgjithmonë! Nga ky moment, nuk do t’ju shohim më njëlloj! Kjo protestë nuk i shërben asnjë partie, ajo u shërben vetëm qytetarëve dhe janë pikërisht këto, momentet kur një shoqëri e kupton se heshtja është bashkëfajësi dhe se të qëndrosh në këmbë përballë padrejtësisë është detyrim moral.
Një popull që kërkon liri nuk mund të nënshtrohet me dhunë!
