Kreu i Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi i është përgjigjur kreut të Kuvendit, Niko Peleshi pas reagimit të tij për deputetin Kliti Hot që u qëllua me plumb gome në protestën e sotme.

Bardhi e ka cilësuar deklaratën e Peleshit 'të neveritshme', duke theksuar se deputeti Kliti Hoti nuk ka qenë pjesë e ndonjë incidenti, por sipas tij u godit pa asnjë shkak nga Policia e Shtetit

Ai shton se Kuvendi nuk mund të jetë strehë për justifikimin e dhunës shtetërore dhe dhuna e ushtruar nga shteti nuk mund të maskohet pas fjalës “incident”.

Deklarata e plotë:

Neveri dhe indinjatë për reagimin e papërgjegjshëm të Kryetarit të Kuvendit ndaj plagosjes së deputetit Kliti Hoti nga Policia e Shtetit!

Së pari, deputeti Kliti Hoti nuk ka qenë pjesë e ndonjë incidenti. Ai është goditur pa asnjë shkak nga Policia e Shtetit, në rrethana që ngrenë dyshime serioze për një akt të qëllimshëm dhune, me pasoja potencialisht fatale. Ta quash këtë një incident është përpjekje për të relativizuar rëndësinë e ngjarjes dhe për të shmangur përgjegjësinë. Kjo nuk është një ngjarje e zakonshme dhe nuk mund të trajtohet si e tillë.

Së dyti, është e papranueshme që Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, në vend që të kërkojë transparencë dhe përgjegjësi për veprimet e Policisë së Shtetit, të vërë në diskutim vetë shkeljen e ligjit, duke e paraqitur atë si një çështje opsionale apo si një interpretim që mund të relativizohet.

Ligji nuk është çështje dëshirë. Përballë dhunës policore, detyrimi i çdo institucioni është të kërkojë zbardhjen e plotë të ngjarjes, identifikimin e përgjegjësve dhe vënien e tyre përpara drejtësisë.

Kuvendi nuk mund të jetë strehë për justifikimin e dhunës shtetërore. Heshtja, relativizimi dhe shmangia e përgjegjësisë institucionale janë po aq të papranueshme sa vetë aktet që kërkojnë hetim.

Përgjegjësia nuk relativizohet. Dhe dhuna e ushtruar nga shteti nuk mund të maskohet pas fjalës “incident”.


Lajmi kryesor:

Protesta/ Deputeti Kliti Hoti qëllohet me plumb gome, pezullohet efektivi! Policia: Nuk kishte urdhër! Berisha: Rama donte ta vriste! Kërkohet dorëheqja e Demos (VIDEO kur qëllohet)