Grupimi “Revolucioni Studentor”, në një deklaratë për shtyp të mbajtur para Spitalit të Traumës në Tiranë, ka kërkuar nisjen e menjëhershme të hetimeve penale ndaj efektivëve dhe drejtuesve të Policisë së Shtetit për përdorimin e forcës ndaj protestuesve dhe ka paralajmëruar vijimin e protestave. Përfaqësuesit akuzojnë Policinë për përdorim joproporcional të forcës, duke thënë se dhuna është përshkallëzuar që prej 13 tetorit dhe ka kulmuar gjatë protestave të 28 dhe 29 nëntorit.
Në deklaratë evidentohen 20 raste të personave të lënduar, mes të cilëve studentë, qytetarë, deputetë, gazetarë dhe fotoreporterë; sipas grupimit, dy prej të lënduarve ndodhen në gjendje të rëndë shëndetësore. “Kërkojmë sot të merren urgjentisht masa për dhunën policore të ushtruar ndaj protestuesve paqësorë. Kërkojmë hetim të menjëhershëm, të paanshëm dhe transparent për çdo rast dhune policore, identifikimin e përgjegjësve dhe vënien e tyre përpara drejtësisë. Uniforma e shtetit nuk mund të jetë mburojë për paligjshmërinë”, thuhet në deklaratë.
Grupimi ka paraqitur katër kërkesa drejtuar institucioneve shtetërore: nisjen e menjëhershme të hetimeve penale ndaj efektivëve të policisë dhe drejtuesve që kanë dhënë urdhra apo mbikëqyrur operacionet; ruajtjen dhe vënien në dispozicion të hetimeve të të gjitha provave, përfshirë pamjet filmike, komunikimet operative, urdhrat dhe dokumentacionin zyrtar; mbajtjen e përgjegjësisë politike dhe institucionale nga ministri i Brendshëm për organizimin dhe drejtimin e operacioneve policore; si dhe hetimin, dokumentimin dhe publikimin e gjetjeve për çdo rast abuzimi nga Avokati i Popullit, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore dhe organizatat për të drejtat e njeriut.
Grupimi i është drejtuar gjithashtu ministres së Shëndetësisë, Klodiana Spahiu, duke kërkuar publikimin e një bilanci të verifikuar mbi numrin e qytetarëve të lënduar dhe gjendjen e tyre shëndetësore, që të mbrojë të dhënat personale të të lënduarve. Protestat, sipas deklaratës, nuk do të ndalen: “Ne zotohemi se protestat do të vazhdojnë dhe se gjaku i shqiptarëve, i derdhur në Ditën e Flamurit, nuk do të harrohet! Asnjë plagë nuk do të relativizohet, asnjë padrejtësi nuk do të normalizohet dhe asnjë përgjegjësi nuk do të lihet pa u kërkuar.”

