Partia Popullore (PP) në Spanjë ka shpallur fitoren në zgjedhjet parlamentare, ndërsa rezultatet paraprake tregojnë se partitë e djathta janë drejt sigurimit të shumicës në Parlament.
Me mbi 90% të votave të numëruara, Partia Popullore e Alberto Núñez Feijóo ka siguruar 135 mandate, ndërsa partia e djathtë Vox ka marrë 52 mandate. Së bashku, dy partitë arrijnë në 184 deputetë, duke kaluar pragun prej 176 mandatesh të nevojshme për të qeverisur.
Ndërkohë, Partia Socialiste e kryeministrit në detyrë Pedro Sánchez ka marrë deri tani 115 mandate, nga 121 që kishte siguruar në zgjedhjet e mëparshme.
Pjesëmarrja në votime ka qenë tepër e lartë, duke arritur në 79.5%, një ndër nivelet më të larta të regjistruara në dekadat e fundit.
Nëse PP dhe Vox arrijnë një marrëveshje bashkëqeverisjeje, e djathta mund të marrë drejtimin e vendit, me Alberto Núñez Feijóo në postin e kryeministrit.

Ndërkohë, kryeministrja italiane Giorgia Meloni ka përgëzuar Partinë Popullore për rezultatin, duke vlerësuar pjesëmarrjen rekord të qytetarëve në zgjedhje.
Po ashtu edhe presidenti amerikan Donald Trump, i cili ka pasur disa “fërkime” në të kaluarën me socialistin Sanchez.
Presidenti amerikan Donald Trump ka mirëpritur humbjen e kryeministrit socialist Pedro Sanchez në zgjedhjet parlamentare në Spanjë. Gjatë një prononcimi për gazetarët në Shtëpinë e Bardhë, Trump nuk e ka fshehur entuziazmin për rezultatin zgjedhor.
“Cili ishte rezultati përfundimtar? HumbI? Oh, ky është një lajm i mirë. Bëri një punë të tmerrshme, e meritonte të humbiste. Është një lajm fantastik!”, deklaroi presidenti amerikan.
Edhe aleati francez i Vox në Spanjë, Bardella, ka uruar lëvizjen e djathtë ekstremiste për rezultatin e arritur dhe që bëhet faktor për qeverinë.










